Telegrafi

Osmani e quan historike ftesën për hyrjen e Finlandës e Suedisë në NATO

Foto: Arkiv

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur historik vendimin e sotëm të NATO-së për të ftuar Suedinë dhe Finlandën t’i bashkohen aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.

Ajo ka thënë se me këtë po tregohet angazhimi i Aleancës Veri-Atlantike për paqe, siguri dhe stabilitet.

“Kosova aspiron t’i bashkohet familjes transatlantike për të përmbushur ambicien e popullit tonë për të mbrojtur liritë dhe vlerat tona të fituara me mund”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Ajo ndërkaq miratimin e konceptit të ri strategjik të NATO-s në Samitin në Madrid e ka quajtur një përgjigje të qartë të unitetit transatlantik ndaj kërcënimit të Rusisë.

“Rikonfirmimi i Aleancës për forcimin e arkitekturës evropiane të sigurisë dhe mbrojtjes, dhe përkushtimi i tyre ndaj Ballkanit Perëndimor, është vendimtar për të ardhmen tonë kolektive paqësore dhe prosperuese”, ka shtuar ajo.

NATO edhe zyrtarisht e ka ftuar Suedinë dhe Finlandën që t’i bashkohet Aleancës Veri-Atlantike, thuhet në kumtesën e lëshuar nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

“Sot kemi vendosur ta ftojmë Finlandën dhe Suedinë të jenë anëtare të NATO-s, dhe u pajtuam të nënshkruajmë protokollin e anëtarësimit”, thuhet ndër tjera në kumtesë, transmeton Telegrafi.

Disa orë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha se pas ftesës zyrtare duhet ratifikuar procesi në 30 parlamente, që sipas tij zakonisht kërkon kohë, por se ai shpresonte se kjo do të kryhet më shpejtë se zakonisht./Telegrafi/