Telegrafi

Osmani e Kurti urojnë kryeministren e Estonisë për fitoren në zgjedhjet parlamentare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë uruar kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas e cila është rizgjedhur edhe për një mandat tjetër në këtë pozitë.

Osmani e ka vlerësuar lartë figurën e kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas

“Urime Kaja Kallas për fitoren e djeshme! Angazhimi juaj i palëkundur për paqen e qëndrueshme në Evropë dhe mbështetja e palëkundur për Ukrainën janë një shembull i shkëlqyer lidershipi. Ju keni treguar se kërkimi i lirisë, dinjitetit dhe një Evrope më të fortë duhet të jetë pa kompromis”, ka shkruar Osmani.

Ndërkaq kryeministri Kurti derisa ka uruar për fitore homologen Kallas, ka shprehur gjithashtu urimin që Kosova dhe Estonia të vazhdojnë të punojnë së bashku.

“Urime kryeministre Kaja Kallas për fitoren tuaj në zgjedhjet parlamentare! Ju uroj suksese në formimin e qeverisë suaj të re. Uroj që vendet tona të vazhdojnë të punojnë së bashku drejt prosperitetit dhe sigurisë më të madhe në kontinentin tonë”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/