Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, të martën kanë udhëtuar për në SHBA, për të marrë pjesë në funeralin e Madeleine Albright.
Ndërkaq sot, gjatë ceremonisë, krerët e shtetit janë takuar me Sektetarin Amerikan, Antony Blinken.
Osmani ka thënë se mbështetja e vazhdueshme dhe vlerat e përbashkëta janë garanca më e fortë e miqësisë së palëkundur me SHBA-të.
“Gjatë ceremonisë së organizuar në nder të Sekretares Madeleine Albright, patëm mundësinë të takojmë Sekretarin e Shtetit Anthony Blinken. E falenderuam për kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në forcimin e shtetësisë së Kosovës, si dhe për lidershipin e treguar nga SHBA-të në kohën kur paqja dhe demokracia në Evropë po cënohen sërish”, tha Osmani.
Albright ka vdekur në moshën 84-vjeçare më 23 mars të këtij viti.
Ajo ishte sekretare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës në Kosovë.
Ndërkaq vlerësohet për ndikimin e madh për të bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën për krimet që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.
Duhet theksuar se ditë më parë, Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ka qëndruar për një vizitë në Kosovë.
Pas takimit që kishte me Osmanin e Kurtin, ndër të tjera ka theksuar se këta të fundit nuk shprehën asnjë kusht për dialogun me Serbinë.
“Kuptimi i qartë që e kam nga ajo që të dytë, presidentja dhe kryeministri, më thanë është se ka gatishmëri për t’u angazhuar me seriozitet dhe kreativitet në dialog dhe nuk pati asnjë kusht që u shpreh për këtë”, ka thënë Donfried./Telegrafi/