Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, të enjten janë pritur nga presidentin francez, Emmanuel Macron në Pallatin Élysée, në Paris, ku po mbahet edhe Forumi i Paqes.
Pas takimit, Osmani ka thënë se me Macron është diskutuar partneriteti në mes të dy shteteve, dinamizimin e dialogut me Serbinë, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.
“Shprehëm përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilat janë të paprekshme.”
Tutje theksoi se është folur edhe për veprimet destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri.
Po ashtu në takim, Osmani dhe Kurti njoftohet se kanë potencuar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa kanë deklaruar se propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.
Presidentja dhe Kryeministri kanë thënë se Kosova do të vazhdojë të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë.
“Kosova vazhdon të jetë shembull në rajon dhe më gjerë sa i përket mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë. Presidentja ka thënë se kjo është arritje e Kosovës dhe aleatëve perëndimor, prandaj ka theksuar nevojën për veprime të përbashkëta për t’i ruajtur këto të arritura”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Më tej krerët e shtetit kanë kërkuar që mbështetja e Francës të vazhdojë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pastaj në programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit të plotë në NATO si dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Po ashtu u përmend rëndësia e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, vendim i cili do të kontribuojë në forcimin e kredibilitetit të BE-së.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me Macron, raportohet se është parë të jetë nervoz teksa ka folur para gazetarëve.
Ai ka thënë se sipas të gjitha gjasave nuk do të takohet në Paris me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Vuçiq foli për seriozitetin e qasjes për zgjidhjen e problemeve në Kosovë, por edhe për frustrimin e njerëzve që jetojnë në një atmosferë, sipas tij, ku nuk është arritur asgjë për 10 vjet./Telegrafi/