Telegrafi

Osmani e Kurti: Masakra e Izbicës, dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë bërë sot homazhe në 24 vjetorin e Masakrës së Izbicës.

Osmani dhe Kurti theksuan se Masakra e Izbicës është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

“Kjo ka qenë një ndër masakrat më të tmerrshme të Serbisë, të shtetit gjenocidal serb ndaj popullit shqiptar. Krimi nuk përfundoi me vrasjet dhe masakrimin e qytetarëve tanë në Izbicë, por u dyfishuar atëherë kur forcat serbe zhvarrosën të vrarët dhe i rivarrosën ata në varreza masive nëpër vende të ndryshme në Serbi dhe në Kosovë”, tha Osmani.

Kurti, tha se kjo masakër është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Tha se aktakuzat e krerëve të Serbisë e kanë bazën e kësaj masakre.

“Jemi këtu të nderojmë dhe të përkujtojmë të vrarët nga regjimi fashist e gjenocidal i Millosheviçit, në Izbicë, 147 sosh gjithsej, 6 janë ende të pagjetur. Siç e tha edhe presidentja, ata janë rrëmbyer si shqiptarë të gjallë, e më pastaj, pas pushkatimit, janë rrëmbyer edhe kufomat, janë dërguar në Serbi dhe në fund janë zhvarrosur prej atje, por jo që të gjithë, meqenëse 6 nuk dihet ende se ku janë në Petrosello dhe i kanë sjellur këtu në atdheun e tyre në vendlindje.

Sot është një ditë kur e nderojmë edhe kujtimin e Mustafë Dragajt, i mbijetuari i masakrës i cili pati dëshmuar kundër Sllobodan Millosheviqit, në Tribunalin e Hagës, dhe i cili fatkeqësisht ndërroi jetë në shtatorin e vitit të kaluar. Masakra e Izbicës ndodhet në aktakuzat e 6 krerëve të lartë shtetëror, politik, policor, ushtarak të Serbisë dhe është dëshmi e gjenocidit të Serbisë”, tha Kurti.

Në Masakrën e Izbicës u vranë 147 qytetarë dhe 6 janë ende të pagjetur. /Telegrafi/