Presidentja Vjosa Osmani deklaroi sot se procesi i dialogut në Bruksel duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo gjatë një takimi me zëvendës-ndihmës sekretarin e Shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka ripërsëritur qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit.
Për më tepër, Osmani theksoi çështjen e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, si prioritet në këtë proces.
“Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme,” tha Osmani.
Palmer dhe Lajçak, nga ana e tyre, ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të përqendruara maksimalisht në menaxhimin e pandemisë, zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si prioritete themelore të institucioneve të vendit.
Ajo falënderoi SHBA dhe BE-në për përkrahjen që u kanë dhënë qytetarëve të Kosovës në këtë kohë të vështirë për të gjithë ne. Ajo shprehu mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për donacionin e vaksinave, dhe shprehu shpresën se edhe SHBA do të ndajë një numër të vaksinave për qytetarët tanë.