Dy udhëheqësit e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë vizituar sot kazermën “Adem Jashari”, me rastin e Ditës së Forcës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para mediave ka thënë se sot është dita e FSK-së, dita e krenarisë, transmeton Telegrafi.
“Është dita e FSK-së, është dita e krenarisë. Kujtojëm sakrificën e popullit, sakrificën e UÇK-së. Është derdhur shumë gjak për me arritë në këtë ditë. Jam e bindur që secili ushtar e ushtare e mban uniformën me krenari. FSK është forcë e trajnuar në bazë të standardeve të NATO-s”, tha presidentja.
Ajo tha se ndjehet shumë e lumtur si komandate supreme e ushtrisë, me të arriturat e saj.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti uroi të gjithë ushtarët për ditën e FSK-së.
“Urime të gjithë ushtarëve, oficerëve, komandantit të FSK-së. FSK e ka ditën, një ditë para 28 nëntorit. Urime të gjithë qytetarëve nga do që janë. Sot vizituam ekspozimin pajisjet dhe armatimin e FSK-së. Është ditë gëzimi, përkujtojmë ata që sakrifikuan, dhe me optimizëm ecim përpara kur e dimi sa të sigurt jemi më ta”, pohoi Kurti.
Ndryshe, me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, ka organizuar sot “Ditën e hapur”, e cila do të zgjatë nga ora 10:00 deri 13:00.
Qytetarë të shumtë janë duke vizituar kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku edhe po shohin nga afër pajisjet, armatimin dhe aktivitetet e FSK-së.
Numër i madh i qytetarëve janë parë edhe në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë./Telegrafi/