Site icon Telegrafi

Osmani dhe Kurti bënë homazhe tek varret e vëllezërve Gërvalla

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, bashkë me Albin Kurtin, kandidatin për kryeministër nga LVV-ja, kanë bërë homazhe në vendlindjen e vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla në Dubovik tek memoriali dhe vizituan shtëpinë muze, në 39 vjetorin e vrasjes së tyre.

“Me aktivitetin e tyre të përbashkët patriotik për lirinë e vendit, ata jo vetëm që dhanë mesazhin për bashkimin e shqiptarëve, por edhe u sakrifikuan për të”, ka shkruar Osmani në Facebook.

“Pothuajse katër dekada më pas, vepra e tyre kujtohet me respekt dhe është model i përkushtimit për lirinë e vendit, siç ishte shprehur në vitin 2002, me rastin e kthimit të eshtrave të heronjve në Dubovik, presidenti Ibrahim Rugova: ‘Puna dhe vepra e tyre na e lanë lirinë e cila na duhet si buka dhe fryma e Zotit, e këtë diti ta bëjë Jusuf Gërvalla'”, ka shkruar ajo.

“Ata trasuan rrugën e lirisë, ndërkaq krenaria për ta e shembulli i tyre do të përcillet ndër breza. Jetoftë përjetë kujtimi për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën!”, ka shkruar Osmani.

Osmani dhe Kurti u pritën nga bija e veprimtarit, aktivistit, intelektualit e artistit Jusuf Gërvalla, njëherësh edhe kandidate për deputete në listën e LVV, Donika Gërvalla. /Telegrafi/

Exit mobile version