Site icon Telegrafi

Osmani kërkon që BE-ja të jetë më e zëshme karshi tendencave destabilizuese të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

Presidenca njofton se në këtë takim u diskutuan zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës.

“Presidentja Osmani ka ritheksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta vazhdojnë koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë, ashtu siç janë koordinuar edhe deri më tani”, thuhet në komunikatën për media.

Po ashtu, thuhet se Osmani kërkoi që Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm karshi tendencave destabilizuese të Serbisë në Kosovë e rajon.

“Më tej, në takim me ambasadorin Weidinger, ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në vend dhe rajon”, njoftoi Presidenca.

“Presidentja theksoi se Kosova pret mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për procesin e liberalizimit të vizave, si dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”.

Në kontekst të diskutimit me ambasadorin Weidinger, Osmani foli edhe për organizimin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në muajin tetor të këtij viti në Prishtinë. /Telegrafi/

Exit mobile version