Site icon Telegrafi

Osmani: Çështja e kufirit Kosovë – Mali i Zi, politikisht është e mbyllur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se çështja e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është e mbyllur.

Në një intervistë për televizionin malazez, Vijesti, Osmani gjithashtu tha se për të është i pranueshëm plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si një platformë e mirë për vazhdimin e negociatave dhe se tani mbetet të shihet nëse do ta pranojë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

E pyetur rreth deklaratës së mëhershme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se duhet rishikuar marrëveshja e vitit 2015 për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke pretenduar se Kosova ka humbur 8200 hektarë territor me atë marrëveshje, e para e shtetit deklaroi se për të kjo çështje është e mbyllur.


“Unë jam këtu para së gjithash për të parë se si mund të hapim një kapitull të ri bashkëpunimi. Konkretisht, sa i përket kufijve, për mua ajo çështje ka përfunduar në parlament para disa vitesh, kur ajo marrëveshje është ratifikuar mes Malit të Zi dhe Kosovës. Pastaj është marrëveshja bilaterale e arritur mes presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi, një lloj deklarate në të cilën theksohen hapat e ardhshëm”, pohoi ajo.

Presidentja kosovare deklaroi më tutje se deklarata e nënshkruar mes dy presidentëve parashikon ndër të tjera formimin e një komisioni të ri teknik me ekspertë nga të dyja palët, të cilët do të ulen dhe do të trajtojnë çdo çështje të hapur.

“Pra, unë personalisht nuk jam kundër që një komision teknik të ulet dhe ta shikojë këtë nga pikëpamja e ekspertëve, por jo nga pikëpamja politike. Si përfundim, unë nuk shoh se ka ndonjë çështje të hapur politike ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe nuk e shoh këtë si një çështje të hapur që do të dëmtonte disi marrëdhëniet tona”, deklaroi Osmani.

“Unë e shoh këtë para së gjithash si një çështje ekspertize dhe një çështje që duhet të zgjidhet midis ekspertëve në komisionin teknik siç parashikohet në deklaratën e dy presidentëve, e cila është nënshkruar në vitin 2015, dhe e cila, natyrisht, mund të zbatohet pa dëmtuar marrëdhëniet mes dyja vendeve tona. Pra, sigurisht që ka shumë njerëz që dëshirojnë ta shohin këtë si shkak të marrëdhënieve të këqija mes Malit të Zi dhe Kosovës, por ne nuk duhet t’ua plotësojmë këtë dëshirë”, përfundoi ajo.

Presidentja e Kosovës sot ka vazhduar vizitën dyditore në shtetin malazez duke vizituar Tuzin dhe Ulqinin ndërsa gjatë ditës së djeshme ka takuar presidentin malazez, Milo Gjukanoviq si dhe kryeministin Dritan Abazoviq./Telegrafi/

 

Exit mobile version