Telegrafi

OSBE konfirmon se ka pasur të shtëna në lindje të Ukrainës – separatistët rusë sulmojnë një kopsht të fëmijëve

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë regjistroi “disa incidente përgjatë vijës kufitare në Ukrainën lindore” sot në orët e para.

Rebelët rusë në Ukrainën lindore të mbështetur nga Rusia kanë akuzuar autoritetet ukrainase për pushtimin e territorit të tyre dhe shkeljen e marrëveshjeve për t’i dhënë fund konfliktit.

Ushtria ukrainase hodhi poshtë me forcë akuzat e separatistëve se forcat e tyre kryen sulme me mortaja, duke thënë se në fakt ishte e kundërta dhe separatistët qëlluan ndaj forcave ukrainase, por ata nuk u kundërpërgjigjën, raporton reuters.

“Sot, forcat pushtuese ruse qëlluan në fshatin Luhansk, njëra prej predhave goditi një kopsht fëmijësh, në atë kohë kishte fëmijë në të. Sipas të dhënave paraprake, asnjë fëmijë nuk është lënduar”, njoftoi ushtria ukrainase në Twitter gjersa ka publikuar edhe disa fotografi të kopshtit, transmeton Telegrafi.

Incidente të ngjashme nuk kanë qenë të rralla në tetë vitet e fundit, por kjo përplasje e fundit midis separatistëve ukrainas dhe forcave qeveritare ka shtuar rëndësinë pasi ndodh në kontekstin e tensioneve aktuale ruso-ukrainase.

Edhe pse Rusia mohon planifikimin e ndonjë sulmi, Perëndimi pretendon të kundërtën dhe kërcënon Rusinë me sanksione në rast se ajo sulmon Ukrainën.

Çdo përshkallëzim i konfliktit në konfliktin afatgjatë midis qeverisë ukrainase dhe separatistëve pro-rusë që pushtuan një pjesë të territorit në Ukrainën lindore në vitin 2014 mund të rrisë më tej tensionet aktuale.

Shërbimet e inteligjencës amerikane besojnë se Rusia mund të shpikë një justifikim për pushtimin e Ukrainës dhe përmendin si shembull mundësinë e publikimit të një regjistrimi të një sulmi të rremë. Rusia gjithashtu i ka hedhur poshtë këto parashikime.

Rusia njoftoi këtë javë se po tërhiqte një pjesë të ushtrisë së saj nga zonat afër kufirit me Ukrainën pas stërvitjeve ushtarake, por Ukraina pretendon se nuk ka prova se kjo është bërë me të vërtetë dhe Shtetet e Bashkuara dyshojnë se Moska në fakt i ka rritur forcat e saj në terren deri në 130 mijë sosh. /Telegrafi/