Telegrafi

Ortodoksia sllave si aleancë mes raketës dhe temjanit

“Pagëzimi i Rusisë”, vepër e vitit 1887 e piktorit Vasily Navozov

Nga: Nadia Beard / The Financial Times (titulli origjinal: The Baton and the Cross – Putin’s cynical co-opting of Russia’s church)
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Cili nga despotët nuk ka menduar për mënyrën më efektive për të sunduar mbi popullin e vet? Sa më autokratik që është lideri, aq më e ngutshme bëhet çështja – dhe, kështu një njeri shqyrtoi opsionet me të cilat shpresonte të mbante nën kontroll një territor të gjerë në Evropën Lindore. Si është e mundur, mendoi Vladimiri, të bashkonte njerëzit e tij nën një sundim? Ai u përcaktua për fenë dhe, në një shfaqje të madhe para nënshtetasve, u fut në lumin Dnipro në Kiev në një pagëzim publik, duke urdhëruar të gjithë të tjerët të bënin të njëjtën gjë.

Vladimiri në fjalë nuk ishte Putini. Ishte Vladimiri i Madh. Ishte viti 988, një datë e rëndësishme në historinë e Rusisë së atëhershme të Kievit, kur paganizmi i së kaluarës u hodh poshtë në favor të një Ortodoksie të re Lindore dhe kështu kisha dhe shteti i Rusisë u lidhën së bashku.

Lexo po ashtu:
Manuali i gjenocidit i Rusisë
Analiza frojdiane për dhunën ekstreme të Rusisë
Çfarë do të thotë të jesh rus? Për shumicën prej nesh, kjo nuk është më pyetje e thjeshtë!
Rusia po bëhet djerrinë kulturore
Vendi im … nuk ekziston më!

Një mijë vjet më vonë, kjo marrëdhënie ka evoluar. E kontrolluar nga Pjetri i Madh, e nënshtruar nga Katarina e Madhe, gati e shkatërruar nga sovjetikët dhe më pas e ringjallur nga Putini, Kisha Ortodokse mbi të gjitha ka pasur një funksion parësor: të forcojë fuqinë e shtetit.

Pikërisht se si u arrit kjo, është tema e Skeptrit dhe Kryqit [Baton and the Cross] nga gazetarja dhe ish-korrespondentja e BBC-së në Moskë, Lucy Ash. Libri mbulon më shumë se një mijë vjet të historisë ruse për të treguar rrëfimin, siç citon ajo një teolog që intervistoi, të “aleancës midis raketës dhe temjanit”. Ash ia dha librit titullin “për të nënvizuar rolin e kishës në zbatimin e bindjes dhe forcimin e shtypjes”.

Ndryshe nga katolicizmi, Kisha Ortodokse Ruse hedh poshtë autoritetin e Papës si përfaqësues i Jezu Krishtit në Tokë, duke pohuar se Krishti është kreu i kishës. Të krishterët ortodoksë gjithashtu nderojnë ikonat e Krishtit dhe të shenjtorëve të tjerë, duke besuar se figurat e tyre të përshkruara manifestojnë praninë e tyre shpirtërore.

Kisha Ortodokse e sotme Ruse është e përkushtuar për të avancuar agjendën e Kremlinit. Kreu i saj, Patriarku Kiril, ka kryesuar korrupsionin, ka sulmuar komunitetin LGBTQ, ka penguar legjislacionin që mbron viktimat e dhunës në familje dhe ka inkurajuar ushtarët rusë të luftojnë në Ukrainë, duke u thënë atyre se do t’u jepet shpëtimi i përjetshëm. Ndërkohë, Putini vazhdon të demonstrojë publikisht respektin e tij ndaj fesë.

“A mund të ishte ndryshe?” – pyet Ash. Hulumtimi i saj sugjeron që jo. Kur Putini nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ishte, shkruan ajo, një shprehje e ambicieve të vjetra perandorake. Nën Katarinën e Madhe në shekullin XVIII, ortodoksia u bë mjet i zgjerimit territorial. Luftërat e saj, në të cilat Perandoria Ruse zgjeroi kufijtë me rreth 200 mijë kilometra katrorë (gati sa madhësia e Bjellorusisë së sotme), u mundësuan pjesërisht nga sekuestrimi i tokave dhe pasurisë së kishës, duke vazhduar me shpronësimet që kishin filluar dekada më parë nga Pjetri i Madh.

Siç na thotë Ash, Katarina “hyri në histori për të legjitimuar pretendimin e Rusisë për Krimenë dhe tokat kufitare jugore myslimane, të cilat ajo i quajti Novorusia [Rusia e Re]”. Kjo duhet të tingëllojë e njohur për këdo që kujton justifikimin historik të bërë nga Putini për të legjitimuar aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Viktimizimi i Ukrainës nga Moska vërehet në libër. Me lemeri lexojmë për përfshirjen e kishës në një nga krimet më të rënda të Rusisë në Ukrainë: dëbimin e detyruar të 16 mijë fëmijëve ukrainas në Rusi. Në vitin e parë të pushtimit në shkallë të plotë, u krijua një qendër për vendosjen familjare të fëmijëve dhe kujdesin e tyre në kishë, nga departamenti i bamirësisë së Patriarkanës. Ndërkohë, një organizatë e lidhur me kishën, e quajtur Vnuki (“nipërit”), e cila në faqen e saj të internetit përshkruan synimin e saj për “të integruar fëmijët nga territoret e çliruara … në hapësirën mendore ruse”, solli fëmijët nga Ukraina në Moskë për të takuar Kirilin dhe klerikët e tjerë të lartë, përfshirë edhe të devotshmin Putin.

Ka kaluar shumë kohë nga dekadat e para të Bashkimit Sovjetik, kur feja, e ndaluar zyrtarisht, gati sa nuk u zhduk. Në vend të kishës, “Lenini, shenjtori asket, murgu vetëmohues, zëvendësoi Krishtin në ikonografi. Portreti i tij në kornizë zëvendësoi faltoret me ikona dhe qirinj”, shkruan Ash. Vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, Stalini, duke kërkuar ndonjë institucion që mund të ndihmonte në sigurimin e fitores sovjetike ndaj forcave gjermane në avancim, filloi të ringjallte “të vetmin organizëm që mund të frymëzonte njerëzit të vdisnin për vendin e tyre”: kishën. Në një sondazh të vitit 2024, 62 për qind e rusëve thanë se identifikoheshin si të krishterë ortodoksë.

Skeptri dhe Kryqi shmang të qenit thjesht një libër historie, kjo falë raportimeve të vetë Ash-it – si rastet kur një njeri zbuloi varrezat masive të besimtarëve të vrarë nën Stalinin, ose një klerik që besonte se ishte viktimë e një gruaje të rekrutuar nga FSB-ja (pasardhësja e KGB-së). Kjo ofron një pamje të qartë të mënyrave se si po jehojnë sot momentet sizmike të së kaluarës fetare të Rusisë. Personazhet e shumtë me të cilët takohej Ash kombinohen për të dhënë një pamje më të qartë të mënyrës se si funksionon struktura e pushtetit të kishës, duke zbuluar se si sistemi kërkon jo vetëm të pamëshirshmit dhe lakmitarët për të mbijetuar, por edhe të përkushtuarit dhe të humburit.

Pretendimet aktuale të Kremlinit për përkushtimin shpirtëror do të ishin qesharake, nëse pasojat e veprimeve të tij të kryera nën petkun fetar nuk do të ishin aq vdekjeprurëse. Do të varet nga ukrainasit nëse Rusia do të detyrohet të kërkojë falje për shkeljen kaq mizore të urdhrit të dytë: ta duash fqinjin tënd si veten tënde. /Telegrafi/