Natyra apo njeriu? Shumë pikëpyetje janë ngritur lidhur me prejardhjen e coronavirusit të ri, që ka nxitur një luftë fjalësh mes Uashingtonit dhe Pekinit. Kërcënimi për përshkallëzimin e mëtejshëm të marrëdhënieve është më prezent se kurrë.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe sekretari i shtetit, Mike Pompeo, kanë dyfishuar pohimin se origjina e virusit është nga një laborator në qytetin kinez të Wuhanit, ku mendohet se shpërtheu infeksioni në fund të dhjetorit.
“Ata bënë një gabim të tmerrshëm dhe nuk duan ta pranojnë. U përpoqën ta mbulonin. Tentuan ta fiknin, njësoj si zjarrin”, ka thënë presidenti Trump, derisa Skretari i Shteti Mike Pompeo, tha se: “Partia Komuniste kineze nuk i dha akses amerikanëve kur kishim nevojë, në fillim të përhapjes. E dimë të gjithë që virusi ka lindur në Wuhan, dhe se ka një laborator aty. Ka shumë që nuk dimë ende, por duam përgjigje”.
Pretendimi ka tërhequr në mënyrë befasuese një kundërshtim të ashpër nga qeveria kineze, e cila e përshkroi akuzën si “njollë” që synonte të forconte shanset e rizgjedhjes së Trump. Por inteligjenca e rrjetit “Five Eyes” – një aleancë midis Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Australisë, Zelandës së Re dhe Kanadasë – gjithashtu duket se kundërshton pohimin e administratës Trump.
Por cila ishte kundërpërgjigja zyrtare e qeverisë së Pekinit, që ndryshe nga Uashingtoni, nuk reagon me figura të larta politike, por me zëdhënës.
“Pompeo nuk mund të paraqesë prova sepse nuk posedon të tilla, kjo çështje duhet të trajtohet nga shkencëtarët dhe jo politikanët jashtë nevojave të tyre politike të brendshme”, ka thënë Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Ajo shtoi se strategjitë republikane të ekspozuara së fundmi në SHBA tregojnë se ata janë të nxitur të sulmojnë Kinën nën pretekstin e virusit, ndërsa nënvizoi se Pekini është lodhur nga këto hile të vjetra.
Media e kontrolluar nga qeveria e Kinës gjithashtu ka mohuar pretendimet, duke akuzuar Amerikën për zhvendosje të fajit dhe duke thurur një sulm personal kundër Pompeos. Transmetuesi publik CCTV e quajti atë “djallëzor” dhe “të çmendur”, ndërsa agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua e cilësoi atë një “gënjeshtar”. Global Times, një tabloid nacionalist i mbështetur nga Partia Komuniste në pushtet, tha se diplomati i lartë amerikan “ka humbur busullën e tij morale”.
Pekini ka theksuar vazhdimisht se deri më tani nuk ka ndonjë përfundim mbi origjinën e koronavirusit, duke thënë se çështja duhet t’u lihet shkencëtarëve dhe ekspertëve mjekësorë për ta studiuar. Regjimi ka shpërthyer kundër thirrjeve për një hetim të pavarur ndërkombëtar në lidhje me origjinën e virusit dhe menaxhimin fillestar të Kinës, duke i pikturuar ato si manovra politike që synojnë njollosjen e vendit.
Qeveria e Kinës është përballur me kritika brenda dhe jashtë lidhur me veprimet kundër virusit, veçanërisht në ditët e para të përhapjes. Është akuzuar për heshtje të personave që lëshonin alarmin dhe vonesa në informimin e publikut për ashpërsinë e emergjencës shëndetësore. Por mohon në mënyrë të përsëritur çdo keqbërje, duke lënë mënjanë akuzat për një mbulim të qëllimshëm në fazat e hershme kritike.
Zyrtarët kinezë dhe media shtetërore gjithashtu shpërndanë pretendime të pabazuara duke theksuar se virusi nuk kishte origjinë nga Kina. Në mars, Zhao Lijian, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, promovoi një teori konspirative në Twitter se virusi kishte origjinën nga SHBA-të dhe ishte çuar në Kinë nga ushtria amerikane.
Gjurmimi i origjinës së Covid-19 është bërë një subjekt sensitiv për kërkime akademike vendase në Kinë. Muajin e kaluar, Pekini vendosi kufizime për botimin e dokumenteve të tilla, duke kërkuar kontroll shtesë dhe aprovim nga zyrtarët e qeverisë qendrore përpara se të botoheshin.
Por çfarë thotë shkenca për origjinën e Covid-19?
Shkencëtarët deri më tani kanë refuzuar kryesisht teoritë se koronavirusi i ri është i krijuar nga njeriu. Në shkurt, 27 ekspertë të shëndetit publik shkruan një letër në revistën mjekësore Lancet për të dënuar teoritë e tilla konspirative, duke përmendur prova shkencore duke arritur në një përfundim të qartë se koronavirusi e ka origjinën në jetën e egër.
Në një intervistë për National Geographic, Dr. Anthony Fauci, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në ShBA, tha që provat aktuale të çojnë larg teorisë se është krijuar nga njeriu.
“Provat shkencore anojnë fuqishëm nga teza që kjo nuk mund të jetë manipuluar artificialisht ose qëllimisht. Gjithçka rreth evolucionit hap pas hapi me kalimin e kohës tregon fuqimisht se ky virus evoluoi në natyrë dhe më pas u kaloi tek specie”, ka thënë Dr Fauci.
Në një shkrim të botuar në “Nature Medicine” më 17 mars, ekspertët më të rëndësishëm të sëmundjeve infektive në Amerikë, Britani të Madhe dhe Australi thanë se ishte “e pamundur” që koronavirusi i ri të kishte dalë nga një laborator, duke përmendur analizën krahasuese të të dhënave të gjenomëve.
Edhe pse origjina e saktë mbetet e panjohur, shumë shkencëtarë besojnë se virusi me shumë gjasë ka ardhur nga lakuriqët e natës dhe më pas ka kaluar tek njeriut nga një bartës i ndërmjetëm, mbase nga kafsha e quajtur pangolin.
Fillimisht, autoritetet kineze e lidhën përhapjen me një treg lokal të gjësë së gjallë në Ëuhan, ku disa nga pacientët fillestarë me koronavirus kishin punuar ose vizituar. Në atë kohë, disa shkencëtarë kinezë kishin sinjalizuar kafshët e egra të shitura në treg si burimin e mundshëm të shpërthimit.
Por ajo teori e veçantë e origjinës është përballur me disa pikëpyetje të mëdha, pas një ekzaminimi më të detajuar të çështjeve fillestare. Një studim i rishikuar, i cili ishte botuar nga shkencëtarët kinezë në Lancet në 24 Janar, zbuloi se midis 41 pacientëve të parë të raportuar me koronavirus, vetëm 27 ishin ekspozuar në tregun e gjësë së gjallë.
Instituti i Virologjisë i Wuhanit mbetet një mister dhe gjithmonë në qendër të polemikave.
Laboratori që gjendet në zemër të pretendimeve të administratës Trump, i takon Institutit të Virologjisë së Wuhanit, një degë e Akademisë së Shkencave kineze të drejtuar nga qeveria qendrore. Është i vetmi laborator në territorin kinez i pajisur për nivelin më të lartë të kontrollit, i njohur si Niveli 4 i Biosigurisë, ose shkurt BSL-4.
Këto lloje janë ndërtuar për të studiuar patogjenet më të rrezikshme të botës, ata që përbëjnë rrezik të lartë transmetimi dhe që janë vazhdimisht fatale e shpesh të pakurueshme, siç janë dhe koronavirusët.
Laboratori i Wuhanit u krijua në vazhdën e epidemisë vdekjeprurëse të Sindromës së Rëndë Respiratore Akute (SARS), e cila përfshiu Kinën dhe pjesët e tjera të Azisë në 2002 dhe 2003. Pasi dëshmoi shkatërrimin nga SARS, qeveria kineze vendosi të ndërtojë një laborator BSL- 4 për të përgatitur më mirë vendin për shpërthime të sëmundjeve infektive në të ardhmen – një strukturë që mund të diagnostikojë, hulumtojë dhe zhvillojë ilaçe antivirale dhe vaksina për patogjenë të rinj.
Kjo strukturë në Wuhan është projektuar dhe ndërtuar me ndihmën e Francës. Punimet përfunduan në mbyllje të 2014 dhe vetëm 4 vite më vonë, laboratori u vendos në funksion të plotë, një event, të cilin mediat e paraqitën si krenari kombëtare.
“Laboratori do t’i sigurojë vendit tonë një sistem të plotë, të përparuar ndërkombëtarisht të biosigurisë, dhekërkuesit kinezë të shkencës mund të studiojnë patogjenët më të rrezikshëm në botë në laboratorin e tyre”, është deklarata e qeverisë së Kinës, e lëshuar para dy vitesh.
Që prej asaj kohe, krye-virologja e laboratorit, Shi Zhengli, e njohur dhe “gruaja lakuriq nate” e Kinës për shkak te ekspeditave disa vjeçare në shpellat e lakuriqëve të natës, ka studiuar bashkë me ekipin e saj disa koronavirusë të dalë nga kjo kafshë.
Shi dhe ekipi i saj publikuan në shkurt një studim duke dalë në përfundimin se Covid-19 është 96% identik me koronavirusin e lakuriqëve të natës, sa i përket nivelit gjenetik.
Por si nisën dyshimet?
Portofoli i laboratorit në Wuhan për kërkimet lidhur me koronavirusët dhe afërsia me tregun e kafshëve të egra, rreth 13 kilometra, ka nxitur një spirale informacioni të pabazë dhe teorish konspirative brenda Kinës që nga ditët e para të shpërthimit të Covid-19 – muaj para se administrata Trump të mbështeste teorinë e saj që lidh virusin me laboratorin.
Në një version të zërave fillestarë, supozohej se një shkenctar ishte kafshuar nga një lakuriq nate, të cilin po e studionte dhe për pasojë u infektua me virusin e rrezikshëm; në një tjetër version, një student i sapodiplomuar tek institute ishte ‘pacienti zero’; në një teori akoma më të çuditshme, laboratori po punonte fshehtas për ushtrinë kineze për të krijuar armë biologjike, dhe virusi u lëshua aksidentalisht gjatë këtij procesi.
Asnjë provë konkrete nuk është zbuluar për këto teori, që burojnë nga llogari të paverifikuara në rrjete sociale. Drejtoresha e institutit tha në shkurt se laboratori nuk ka asnjë lidhje me përhapjen e virusit dhe për këtë doli garant me jetën e saj. Dyshimet vijuan dhe për disa kohë, derisa shteti kinez vendosi nën kontroll pandeminë.
Megjithatë në mes të Prillit, ndërtesa ku kryheshin studime të rrezikshme shkencore u vendos sërish në mosbesim pas një shkrimi në “Washington Post”. Dy kabllogramë të zyrtarëve të ambasadës amerikane në Kinë në vitin 2018, paralajmëron Departamentin e Shtetit lidhur me sigurinë dhe menaxhimin e dobët në laboratorin në fjalë. Që prej këtij raportimi, qeveria e Shteteve të Bashkuara nisi të besonte në mundësinë se koronavirusi i ri e ka origjinën nga qendra kërkimore në Wuhan dhe është përçuar në publik aksidentalisht gjatë një shkelje të sigurisë.
Megjithatë Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare Amerikane than ë një deklaratë zyrtare se “komuniteti i kundërzbulimit në SHBA dakordësohet me konsensusin e gjerë shkencor që virusi Covid-19 nuk është krijuar nga njeriu apo modifikuar gjenetikisht”.
Teori të cilën, e mbështet fuqishëm Organizata Botërore e Shëndetësisë. Madje konfirmon se është provuar shkencërisht se origjina e Covid-19 është natyrale, si dhe fton presidentin amerikan, Donald Trump, që të tregojë fakte serioze dhe zyrtare për pretendimet e tij.
“Ne nuk kemi marrë asnjë prove specifike nga qeveria amerikane lidhur me supozimet për origjinën e virusit, kështu që nga perspektiva jonë kjo mbetet spekulative. Por, nëse ato të dhëna apo prova ekzistojnë, i takon qeverisë së SHBA-së që të vendosë nëse, dhe kur mund t’i ndajë me ne. Prandaj ne fokusohemi tek ato që dimë, te provat që kemi. Këto prova, pra studimi i ADN-së, na këshillon se virusi ka origjinë natyrore”, ka thënë Mychael Ryn, drejtor ekzekutiv i programit të emergjencave në OBSH.
Trump nuk ngurroi aspak përballë kësaj kërkese dhe zbuloi se shumë shpejt administrata e tij do të publikojë një raport për origjinën e virusit vdekjeprurës. /A2/