Divock Origi pritet të largohet nga Liverpooli pas tetë viteve qëndrim në Anfield.
Sulmuesi belg nuk ka pasur asnjëherë hapësirat e duhura tek The Reds, derisa është futur në vitin e fundit të kontratës.
Palët nuk do të vazhdojnë bashkëpunimin derisa për Origin ka pasur interesime nga shumë skuadra.
Sipas asaj që ka raportuar Fabrizio Romano, është gjiganti italian AC Milan që ka bërë tanimë një ofertë në drejtim të lojtarit.
Rossonerët po kanë problem me dy sulmuesit Zlatan Ibrahimovic dhe Olivier Giroud që po lëndohen shpesh, derisa Origi shihet si sulmuesi ideal për të ardhmen.
Gjiganti italian i ka bërë ofertë zyrtare futbollistit duke dëshiruar qysh tani të nënshkruajnë me të, por Fabrizio Romano nuk ka zbuluar detajet financiare dhe pagën që i kanë ofruar Rossonerët.
26-vjeçari ka zhvilluar 171 ndeshje zyrtare me Liverpoolin, ku ka realizuar 40 gola dhe ka asistuar në 17 të tjerë.
Gjithsesi përveç Milanit në garë për të janë edhe Lazio, Atalanta, Olympique Lyon, Borussia Dortmund dhe Galatasaray. /Telegrafi/