Telegrafi

Organizuan skema piramidale dhe bixhoz të paligjshëm, arrestohet një zyrtar policor dhe tre qytetarë në Gjakovë

Foto: Ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës rreth dy muaj më parë kishte pranuar informacione përmes rrugëve operative se një i dyshuar, zyrtar policor në Gjakovë, mund të jetë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.

Bazuar në këto informacione, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent filluan të ndërmarrin veprime hetimore/operative duke përfshirë edhe masat e fshehta të hetimit ndaj zyrtarit policor.

Sipas njoftimit, bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura si dhe bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, mbrëmë është realizuar operacioni i cili rezultoi me arrestimin e një zyrtari policor dhe tre qytetarëve me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Në vazhdën e veprimeve hetimore, operacioni ka vazhduar me bastisje në Gjakovë ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme.

Të arrestuarve në këtë rast nga Inspektorati Policor me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës. /Telegrafi/