Site icon Telegrafi

Iniciohet shkarkimi i rektorit të UP-së, organizatat e shoqërisë civile ngrenë dyshime se pas iniciativës qëndron LVV

Një grup i organizatave të shoqërisë civile përmes një letre të përbashkët publike kanë shprehur shqetësimin e tyre për tentimin për të ndryshuar disa rregullore në Universitetin e Prishtinës.

Sipas këtyre organizatave partia që qeverisë me vendin po synon që duke bërë ndërrimin e rregullativës të “punësoj dhe avancojë njerëzit e afërt të saj  në pozita më të larta akademike”

“Ditëve të fundit ka pasur ndërhyrje nga zyrtarë të institucioneve shëndetësore, të afërt me partinë në pushtet, të cilët kanë ushtruar presion për ndryshimin e rregulloreve të Universitetit të Prishtinës, ashtu që ato t’u përshtaten atyre me qëllim të punësimit apo avancimit në pozita më të larta akademike”.

“Kjo nuk është hera e parë që partia në pushtet përdor metodën e ndërrimit të rregullativës me qëllim të punësimeve dhe avancimeve të njerëzve të saj të afërt në institucione të arsimit. Rikujtojmë se para pak muajsh me iniciativë të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, me shmangie nga rregullorja e Kuvendit dhe me procedura të përshpejtuara, është amandamentuar Ligji për Zyrtarët Publikë, me ç’rast u është lejuar deputetëve që të vazhdojnë punën si pjesëtarë të stafit akademik në universitete”.

Këto organizata shprehin zhgënjimin e tyre me institucionet përgjegjëse për arsimin e lartë në Kosovë, me theks të veçantë me Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre nuk mori asnjë masë kundër zgjedhjes në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës të një “plagjiatori të denoncuar publikisht, si dhe injoroi deklaratën tonë të datës 29 qershor 2022, ku denoncuam procesin në fjalë”.

Sipas njoftimit që e ka shpërndarë ORCA, thuhet se pa asnjë shpjegim Këshilli Drejtues ka iniciuar shkarkimin e rektorit Naser Sahiti.

“Së fundmi, pa u zgjidhur problemi i anëtarit të Këshillit Drejtues, i cili është denoncuar publikisht për plagjiaturë, anëtarët e Këshillit Drejtues, si nga radhët e Universitetit të Prishtinës, ashtu edhe ata të emëruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë iniciuar shkarkimin e rektorit të UP-së prof. dr. Naser Sahiti, pa dhënë asnjë shpjegim për arsyet”.

Këto organizata thonë se asnjë skandal nuk është raportuar që nga zgjedhja e prof. dr. Naser Sahitit në pozitën e rektorit.

“Përkundrazi, organizatat monitoruese të arsimit të lartë para pak kohësh kanë theksuar avancimin e transparencës në Universitetin e Prishtinës gjatë mandatit të tij. Po ashtu, organizatat monitoruese të UP-së kanë raportuar se në proceset e ndjeshme, si ato të avancimeve akademike, ka pasur meritokraci”.

Organizatat e poshtëshënuara, thonë se denoncojnë çdo tentativë të shkarkimit të zyrtarëve të institucioneve të arsimit të lartë pa u bazuar në gjetje reale të keqpërdorimeve të mundshme të tyre, si dhe pa e bërë të qartë se cilat janë ndryshimet që planifikohen të ndodhin.

Admovere

Balkan Art Zone

Çohu

DokuFest

EC Ma Ndryshe

EcoZ

ETEA

GERMIN

Iniciativa për Histori Gojore/ Oral History Initiative

Junior Chamber International

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF

Qendra Kosovare për Arsim – KEC

Kino ARMATA

Lëvizja FOL

OJQ ZANA

Syri i Vizionit

Shkëlzen Gashi

Shoqata e Intelektualëve të Pavarur në Deçan

TOKA

Exit mobile version