Telegrafi

Orban i thotë Stoltenbergut se Hungaria mbështet anëtarësimin e Suedisë në NATO

Kryeministri hungarez Viktor Orbán i tha sot Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se qeveria e tij mbështet anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Në një postim në platformën X, Orban shtoi se i tha Stoltenbergut në një bisedë telefonike se do të vazhdojë t’i bëjë thirrje parlamentit hungarez që të votojë për hyrjen e Suedisë në NATO, dhe të përfundojë ratifikimin në rastin e parë të mundshëm, raporton Reuters.

Stoltenberg përshëndeti vendimin e Hungarisë për të mbështetur qartë anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe që së shpejti do të ratifikojë kandidaturën e saj, transmeton Telegrafi.

“Bisedë e mirë me kryeministrin hungarez Viktor Orban. Mirëpres mbështetjen e qartë të kryeministrit dhe qeverisë së tij për anëtarësimin e Suedisë në NATO. Pres me padurim ratifikimin sapo parlamenti të mblidhet sërish”, ka thënë Stoltenberg në një postim në platformën X.

Ndryshe, mbrëmë parlamenti turk ka miratuar kërkesën e shtetit suedez për anëtarësim në NATO.

Kërkesa suedeze i është dërguar presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan për nënshkrim përfundimtar, pas së cilës do t’i përcillet Departamentit Amerikan të Shtetit.