Kryeministri hungarez Viktor Orban ka sugjeruar se bisedimet mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe shefit të Kremlinit, Vladimir Putin, mund të çojnë në riintegrimin e Rusisë në sistemet ekonomike, të sigurisë dhe të energjisë të Evropës.
“Nëse do ta komentoja me një fjalë, do të thosha ‘Halleluja’. Kjo është ajo që ne kemi pritur”, tha Orban, duke komentuar lëvizjen e Trumpit për të përfunduar luftën në Ukrainë.
Bëhet e ditur se kryeministri i Hungarisë, i cili ka mbajtur lidhje të ngushta me Putinin, tha se lëvizjet e Trumpit dukej se ishin një justifikim i qëndrimit të Hungarisë, shkruan Politico, përcjell Telegrafi.
“Nëse presidenti amerikan vjen, krijon paqe dhe arrihet një marrëveshje, atëherë mendoj se Rusia do të riintegrohet në ekonominë globale, do të riintegrohet në sistemin evropian të sigurisë, madje edhe në sistemin evropian të energjisë. Kjo do t’i japë një shtysë të madhe ekonomisë hungareze, është një mundësi e madhe, ne do të fitojmë shumë nga paqja”, sipas Orban.
Ndërsa për çështjen e lënies së Evropës jashtë bisedimeve për Ukrainën, Orban tha se politika ndërkombëtare është “e ashpër, e bazuar në interesa, shpesh e pamëshirshme”.
“Ju nuk merrni automatikisht një vend në tryezën e bisedimeve – ju merrni një vend sepse u ngritët për veten tuaj, keni luftuar në rrugën tuaj dhe jeni të nevojshëm. Nuk është e qartë pse Evropës duhet t’i jepet një vend në një tryezë të tillë”, përfundoi ai. /Telegrafi/