Subjektet opozitare Lëvizja Vetëvendosje (VV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në konferencën e nesërme që zhvillohet në ambientet e Kuvendit të Kosovës e ku do të diskutohet për çështjen e demarkacionit.
Frashër Krasniqi, zëdhënës i VV-së tha për KALLXO.com se partia e tij do të jetë prezent në këtë takim.
Ai tregoi se kush nga Vetëvendosje do të jetë në këtë takim.
“Grupi Parlamentar i VV-së i ka caktuar disa prej deputetëve që tashmë janë përgatitur mirë dhe do të marrin pjesë aty për ta mbrojtur qëndrimin tonë: Glauk Konjufca, Aida Dërguti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Ismajl Kurteshi. Këta janë angazhuar për përfaqësim, por prezentë do të jenë edhe deputetë të tjerë të VV-së”, tha Krasniqi.
Frashër Krasniqi theksoi se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka refuzuar grupin e ekspertëve të propozuar nga VV-ja ku nuk përfshihen vetëm ekspertë nga Kosova por edhe ekspertë shumë të mirë nga Shqipëria.
“Janë refuzuar të gjithë këta nga Kadri Veseli dhe ne e kemi të qartë pse ka ndodhur kjo”, u shpreh ai.
Ndërsa, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha për KALLXO.com se ftesa i ka shkuar partisë së saj dhe se nesër në një mbledhje të grupit parlamentar do të shohin se a lejohet pjesëmarrja e gjithë grupit.
“Nesër e kemi mbledhjen e GP të AAK-së dhe do të shohim a na lejohet pjesëmarrja të gjithëve. Po ashtu, ftesa i ka shkuar edhe z. Haradinaj. Edhe ai do të jetë prezent”, u shpreh Haxhiu.
Ndërkaq, shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, se tha Grupi Parlamentar i Nismës do të jetë nesër prezent.
“Po, nesër do jemi pjesë e debatit ku do të debatohet për demarkacion”, u shpreh ajo.
Ndryshe, KALLXO.com ka siguruar edhe agjendën e takimit të nesërm.
Tema e këtij takimi do të jetë prezantimi i argumenteve nga ekspertët e propozuar nga grupi i deputetëve që e kanë kërkuar debatin. Ndërsa, Komisioni shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror do të përgjigjet edhe në pyetjet dhe komentet e adresuara në tryezë.
Në këtë takim fjalën hyrëse do ta ketë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa fjalë rasti do të mbajë edhe ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie.
Ky takim, referuar agjendës, pritet të zgjatë mbi pesë orë.