Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, sqaroi në seancën e sotme përse nuk është miratuar kërkesa e opozitës për interpelancë me kryeministrin lidhur me çështjen e transmetimit të emisionit në televizionin italian Rai 3.
Çuçi tha se kjo çështje është shqyrtuar në Konferencën e Kryetarëve ditën e hënë. Ai tha se interpelanca s’mund të bëhet me urgjencë, pasi as vetë Rai 3 s’e ka me urgjencë transmetimin e pjesës së mbetur të emisionit.
“Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u bënë të qarta arsyet përse ajo interpelancë nuk mund të bëhet dhe aq më tepër në mënyrë urgjente. Nuk është çështje për interpelancë sipas përcaktimeve që bën rregullorja e Kuvendit.
Këto sqarime janë bërë, ku edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD ka pasur kohën për të dhënë shpjegime”, deklaroi Çuçi. /Telegrafi/