Telegrafi

Opozita e quan Mustafën të papërgjegjshëm, nuk do të ndalen në kundërshtimin e Demarkacionit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përsëritur se Komisioni i Ekspertëve konstatoi se Kosova nuk ka humbur asnjë metër tokë me nënshkrimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Tutje Mustafa ka thënë se nuk ka kuptim që të kundërshtohet çështja e kufirit me Malin e Zi.

“Nuk ka asnjë kuptim që të vazhdohet me kundërshtime të pabazuara, por duhet të gjejmë forcë për ta ratifikuar kufirin, sepse kufi tjetër nuk ka. Mund ti dëmtojmë qytetarët tanë, ti mbajmë të izoluar, por sipërfaqe më të madhe se 10.908 km katror Kosova nuk ka pasur asnjëherë”, ka deklaruar kryeministri.

Por, pavarësisht këtij insistimi të kryeministrit Mustafa, se Kosova nuk humb territor, opozita vazhdon të qëndrojë prapa asaj se me këtë marrëveshje Kosova i falë Malit të Zi mbi 8 mijë hektarë tokë.

Opozita madje e quan të “çmendur” dhe të papërgjegjshëm kryeministrin Isa Mustafa.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se si grup parlamentar do të bëjnë çmos për ta ndaluar ratifikimin e Demarkacionit.

“Isa Mustafa ka humbur toruan, përndryshe nuk mund të shpjegohet zelli i tij për të jetësuar një marrëveshje e cila i falë mbi 8000 ha, Malit te Zi. Ne si grup parlamentar do të bëjmë çmos që ajo marrëveshje mos te kalojë, jemi zotuar për këtë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shtuar se sjellja e kësaj marrëveshje në Kuvend, do të tensionojë situatën në vend dhe për këtë do të mbahen përgjegjës Mustafa, Thaçi dhe Veseli.

Haxhiu tutje ka theksuar se kundërshtimi i Demarkacionit do të ndodhë edhe brenda por edhe jashtë Kuvendit, me metodat dhe mjetet që kanë përdorur edhe më parë.

“Ne në vazhdimësi kemi qene konsistent sa i përket kësaj çështje dhe në vazhdimësi kemi thënë që do të bëjmë çmos që ajo marrëveshje mos të kalojë. Do te kundërshtojmë brenda dhe jashtë Kuvendit, me mjetet dhe metodat që i kemi përdorur gjer tani. Por se çfarë saktësisht, do të kuptohet në seancën e përfolur, dhe ne urojmë të mos ketë të tillë!”, u shpreh Haxhiu.

E në anën tjetër deputeti i Nisma për Kosovën, Enver Hoti ka thënë se nuk dëshiron t’i komentojë deklaratat e një kryeministri të papërgjegjshëm.

“Deri më 8 mars asnjë komentim nuk e bëjë për këtë kryeministër të papërgjegjshëm dhe ndaj një qeverie të pandershme”, ka thënë Hoti për Telegrafin.

Edhe Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, gjatë vizitës së saj të shtunën në Kosovë, porositi klasën politike që ta arrijnë një marrëveshje për ratifikimin e Demarkacionit në mënyrë që të fitohet liberalizimi i vizave.

“Nëse Kuvendi e voton Demarkacionin, ne, BE-ja do të lëvizim shumë shpejt në procesin e liberalizimit të vizave”, ishte mesazhi i qartë i Mogherinit./Telegrafi/