Telegrafi

Operacioni “Vjeshta 2017”, arrestohen pesë persona

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës, saktësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore e asistuar nga njësitet vartëse të drejtorive rajonale policore, duke filluar nga data 03.11.2017 ka realizuar një operacion të gjerë policor në të gjitha rajonet e Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të veprave të ndryshme kriminale.

Pjesë e realizimit të këtij plani kanë qenë njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës, duke përfshirë atë për migrim dhe të huaj, njësitë për reagim të shpejtë dhe Njësitet patrulluese të DRP-ve.

Implementimi i planit operacional i quajtur “Vjeshta 2017”, ka rezultuar me ushtrimin e kontrollit në 30 lokacione të ndryshme, ku prej tyre katër lokale janë mbyllur nga inspektorët komunal si dhe janë shqiptuar gjoba për mungesë të arkave fiskale, mungesë të dokumenteve të punës  etj.

Policia ka arrestuar pesë persona të dyshuar, për posedim të armëve të zjarrit, raste këto të administruara në nivel lokal policor, përderisa janë konfiskuar 2 revole e tipit TT, 3 karikator, 16 copë municione, 3 thika ushtarake dhe 1 qese e vogël me narkotik e dyshuar e llojit marihuanë.

Kryesisht në të gjitha lokacionet ku janë ushtruar kontrolle policore janë legjitimuar edhe 212 femra, nën dyshimin e mungesës së dokumentacionit të punës, ku prej tyre; 123 shtetase të Shqipërisë; 1 shtetase të Malit të Zi; 2 shtetase e Maqedonisë dhe 86 shtetase të Kosovës.

Të gjitha shtetaset e huaja në mungesë të paraqitjes së lejes së punës dhe qëndrimit, do të trajtohen nga Drejtoria e Migrimit e PK-së, e cila është në proces të administrimit të lëndëve.

Ky operacion i gjerë policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim edhe me Prokurorët kompetent, ATK-në, Inspektoratin e Punës dhe Inspektoratin Sanitar të niveleve lokale. /Telegrafi/