Kokainë, pushkë automatike, municion, bajoneta e gjësende të tjera janë konfiskuar gjatë bastisjes në shtëpitë e dy personave të dyshuar në Fushë Kosovë, të cilët janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës
Në njoftimin e Policisë së Kosovës, thuhet se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik dega në Prishtinë, në vazhdën e luftimit të shitblerjes së paautorizuar të narkotikëve, sot me datën 21.05.2024 ka realizuar një plan taktik lidhur me rastin e koduar “Rrethi’’ ku në asistencë edhe të një njësiti të hetimeve nga stacioni policor Fushë Kosovë, rreth orës 14:30 në rrugën e “Pejës’’ në Fushë Kosovë ka ndaluar dhe arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar.
“Personat e dyshuar E.XH., (viti i lindjes 1982) dhe A.I., (viti i lindjes 1979) janë ndaluar, por gjatë ndalimit është vërejtur se i dyshuari i dytë me qëllim të fshehjes së dëshmive ka gëlltitur një qese të vogël me lëndë narkotike të llojit kokainë, të cilën paraprakisht e kishte blerë nga i dyshuari i parë”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Telegrafi.
Sipas policisë, me qëllim të sigurimit të provave të nevojshme, në konsultim me prokurorinë e krimeve të rënda Prishtinë, është kryer kontrolli i banesës së të dyshuarit E.XH., ku me këtë rast në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar: substancë e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në 17 qese (16 te vogla të gatshme për shitje dhe 1 me sasi më të madhe) me peshë të përgjithshme prej 99.4 gramë; një pako në të cilën kishte një lloj përzierësi që përdoret për shtimin e sasisë së kokainës me peshë prej 63 gramë; një peshore digjitale që përdoret për matje precize në sasi të vogla dhe disa qese të zbrazura; para të gatshme në vlerë 1750 euro; tri armë automatike AK-47; gjashtë karikatorë; municion të llojeve të ndryshme në sasi prej 510 copë; dy bajoneta dhe 8 pjesë të ndryshme për armë; një palë dylbi dhe 2 këllëfë armësh dhe një telefon celular
Vlera e përafërt e narkotikëve të konfiskuar sipas çmimit të tregut llogaritet rreth 6 000 euro.
“Të dyshuarit janë shoqëruar për intervistim dhe në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari E.XH. dërgohet në mbajtje për rastet nga neni 267 dhe 366 i KPRK-së, kurse i dyshuari A.I dërgohet në mbajtje për disa urdhër arreste të mëhershme të cilat i kishte aktive”, njofton policia. /Telegrafi/