Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se është duke vazhduar aksioni policor në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, në koordinim me Prokurorinë Speciale.
“Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ky operacion i IPK-së i koduar me emrin “Pika” është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin për media nga IPK.
Sipas njoftimit thuhet se në kuadër të këtij veprimeve hetimore dhe operative nga hetuesit e IPK-së pritet që fillimisht të shoqërohen e më pas edhe arrestohen dhjetëra zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast (kryesisht zyrtarë të policisë kufitare) si dhe disa zyrtarë doganorë.
“IPK do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve që kanë për qëllim fuqizimin e integritetit policor përderisa detaje të tjera shtesë lidhur me rrjedhën e këtij operacioni do të bëhen të ditura sot në orët e pasdites”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/