Site icon Telegrafi

Operacioni “Goditja”, mbi 200 të arrestuar e dhjetëra armë të konfiskuara

Foto: Arkiv

Me 234 të arrestuar ka përfunduar operacioni policor “Goditja”, i cili është zhvilluar nga 8 gushti deri më 6 shtator.

Në njoftimin për media, policia ka bërë të ditur se operacioni është zhvilluar me qëllim të shtimit të masave të sigurisë në pjesët urbane të vendit, në pjesët ku ka prezencë më të madhe të qytetarëve (lokale hoteliere, bare nate, kafiteri etj).

“Detyrat që parashiheshin të realizoheshin në zbatim të urdhrit në fjalë janë shtimi i patrullimeve policore, kontrollimi i veturave, lokaleve e personave me qëllim që të gjinden, konfiskohen e procedohen rastet kur ka armëmbajtje pa leje, prishje të rendit e qetësisë publike dhe iniciohen raste tjera penale, përfshirë arrestimin e personave të përfshirë në raste penale”, thuhet në komunikatë.

Përveç të arrestuarve, për një muaj janë kryer 14 mijë e 417 patrullime në zona urbane, 12 mijë e 511 pika të kontrollit të automjeteve, prej tyre 3 mijë e 274 me radar ose alkool-test. Po ashtu, janë kontrolluar 72 mijë e 386 vetura, 966 lokale, janë konfiskuar 77 revole, 13 armë të gjata dhe 2 mijë e 376 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

“Policia edhe në ditët në vazhdim do të vazhdojë me aktivitete me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, inicimin e rasteve kriminale, arrestimin e personave që bien ndesh me ligjet e vendit”, bëhet e ditur tutje. /Telegrafi/

Exit mobile version