Site icon Telegrafi

OPEC: Kërkesa për naftë gjatë vitit 2022 do të tejkalojë nivelet para pandemisë COVID-19

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) i ka qëndruar parashikimit të mëparshëm se kërkesa botërore për naftë do të tejkalojë nivelet para pandemisë gjatë vitit 2022, megjithëse grupi prodhues tha se pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe zhvillimet e fundit të pandemisë COVID-19 përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm.

Në një raport mujor, OPEC ruajti parashikimin e saj se kërkesa botërore për naftë do të rritet me 3.36 milionë fuçi në ditë gjatë vitit 2022, duke vazhduar kështu rikuperimin nga rënia e vitit 2020.

Lufta e Ukrainës bëri që ҫmimi i naftës për pak kohë të shkojë mbi 139 dollarë për fuçi në mars, shifra më e lartë që nga viti 2008, duke përkeqësuar presionet e inflacionit. Izolimet e shkaktuara nga COVID në Kinë, ku një shpërthim infektimesh në Pekin ka nxitur rifillimin e testimeve masive, kanë reduktuar kërkesën për naftë.

“Zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe përhapja e pasigurt e pandemisë gjatë fundit të gjysmës së dytë të vitit vazhdojnë të përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm për rimëkëmbjen e parashikuar, sipas së cilës do të arriheshin nivelet para pandemisë. Presionet e inflacionit ka të ngjarë të vazhdojnë dhe mbetet ende e pasigurt se kur mund të zgjidhen problemet gjeopolitike. Megjithatë, kërkesa për naftë parashikohet në nivele të shëndetshme për gjysmën e dytë të këtij viti”, tha OPEC në raport.

Sipas raportit, konsumi botëror i naftës do të tejkalojë 100 milionë fuçi në ditë në tremujorin e tretë, në përputhje me parashikimet e mëparshme dhe mesatarja e vitit 2022 do të arrijë në 100.29 milionë fuçi në ditë, pak mbi normën ku ndodhej para fillimit të pandemisë në vitin 2019.

OPEC e mbajti parashikimin e rritjes ekonomike botërore për këtë vit në 3.5 për qind, duke shtuar se mundësia e uljes së kësaj shifre “mbetet e madhe” ndërsa potenciali i rritjes së saj është “mjaft i kufizuar”.

Nafta pësoi një rritje pas publikimit të raportit, duke u tregtuar në mbi 123 dollarë. /Telegrafi/

Exit mobile version