Telegrafi

OKB: Më shumë se 7.000 civilë janë vrarë në Ukrainë

Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), ka njoftuar se më shumë se 7,000 civilë janë vrarë në Ukrainë që kur Rusia pushtoi vendin fqinj shkurtin e kaluar.

“Shumica e viktimave të regjistruara civile u shkaktuan nga përdorimi i armëve shpërthyese me rreze të gjerë, duke përfshirë granatimet nga artileria e rëndë, sistemet e shumta të raketave, raketat dhe sulmet ajrore”, u tha ndër tjera nga OHCHR, transmeton Telegrafi.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha se kishte konfirmuar 7,031 vdekje civile, por besonte se numri real ishte “dukshëm më i lartë” duke pasur parasysh se shumë raporte ishin ende në pritje të konfirmimit dhe se zonat e luftimeve të rënda ishin të paarritshme.

Shumica e vdekjeve të civilëve të regjistruara ndodhën në zonat e kontrolluara nga ukrainasit – 6,536, krahasuar me 495 vdekje në zonat e kontrolluara nga Rusia.

OHCHR nuk atribuoi përgjegjësinë për vdekjet e përmendura. E Ukraina thotë se numri i civilëve të vrarë mund të jetë në dhjetëra mijëra. Të dy vendet mohojnë të kenë shënjestruar civilët. /Telegrafi/