Bosi i garave të arteve marciale UFC, Dana White, ka thënë se do t’i paguajë Floyd Mayweather dhe Conor McGregor, nga 25 milionë dollarë secilin, nëse pranojnë të ndeshen me njëri-tjetrin.
39-vejçari Mayweather, i cili u pensionua nga boksi në vitin 2015, ka thënë se ka folur me kampionin e UFC-së dhe i bërë ofertë për duelin. Por, presidenti i UFC-së ka deklaruar se nuk i ka bërë ofertë askujt.
“Floyd ja ku e ke një ofertë të vërtetë dhe unë jam njeriu që mund të bëj oferta – do të të paguajmë ty 25 milionë dhe Conorin 25 milionë dollarë”, është shprehur White për Radio Fox, transmeton Klan Kosova.
Më tej, ai ka theksuar se nëse ndodh, meçi me gjasë do të zhvillohej në një ring boksi dhe jo në oktogon. Njëherësh, secili nga dy luftëtarët do të përfiton para edhe nga të ardhurat e duelit.
“Nëse do të boksojnë, kjo duket si një ndeshje e lehtë për Floydin. Conor është ‘para’ e lehtë për të”, citohet të ketë thënë White.