Ermal Krasniqi duket se do të largohet nga CFR Cluj vetëm pas tetë muajsh qëndrim në këtë klub.
Sulmuesi kosovar ka shkëlqyer edhe në Rumani dhe duket se këtë verë do ta bëj hapin e madh në karrierë.
Ofertat nuk kanë munguar për Krasniqin dhe këtë e ka konfirmuar edhe aksionari i klubit Nelu Varga duke thënë se ai do të largohet.
Largimin e sulmuesit anësorë anëtari i klubit rumun e ka quajtur si punë të kryer, teksa ka zbuluar se për lojtarin janë tre oferta, një nga Gjermania, një nga Italia dhe një tjetër nga Franca.
Varga ka thënë se shitja e Krasniqit do të bëhet për shumën e pesë milionë eurove.
“Kemi tre oferta për Krasniqin për momentin. Një nga Franca, një tjetër nga Gjermania dhe një tjetër nga Italia”.
“Ai do të ik për 99 përqind për një shumë mbi pesë milionë euro. Negociatat janë avancuar, ai është një lojtar shumë i mirë”, ka thënë Varga për mediumin rumun iaspor.ro.
Nga shitja e Krasniqit do të fitoj edhe Ballkani me kampionin në fuqi të Kosovës që ka ruajtur 15 për qind të kartonit të tij. /Telegrafi/