Agjenti i Robert Lewandowskit thuhet të ketë qëndruar në Arabinë Saudite për t’i dëgjuar ofertat e klubeve të atjeshme për klientin e tij.
Në kanalin Oknie Transferowym (Afati Kalimtar) të Matchyki.pl është raportuar nga eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, se sulmuesi veteran kishte marrë një ofertë astronomike për të ndjekur hapat e Cristiano Ronaldos e Karim Benzemas, mirëpo e ka refuzuar atë.
Në bazë të njoftimit, klubet e interesuara kanë qenë të gatshëm t’i japin pagë prej rreth 150 milionë eurosh në sezon për të luajtur në Saudi Pro League.
Në një deklaratë të mëparshme për gazetën spanjolle, Sport, ai e kishte bërë të qartë se dëshiron ta respektojë kontratën e tij me Barcelonën, e cila është valide edhe tri sezone.
“Arabia Saudite? Sot jam i lumtur te Barcelona. Ndihem sikur jam në një klub që më përshtatet. Kështu që unë dua të përmbush kontratën time”, përfundoi ylli polak. /Telegrafi/