Telegrafi

Ofendoi rajonin e Drenicës në Facebook, suspendohet nga puna një polic

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka suspenduar nga puna një zyrtar policor, i cili kishte ofenduar rajonin e Drenicës përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“PK njofton opinionin publik se lidhur me rastin e publikimit/komentimit përmes rrjetit social facebook nga një zyrtar policor për rajonin e Drenicës, janë ndërmarrë masat e menjëhershme dhe të njëjtën ditë (18.05.2020) është suspenduar zyrtari policor, për të vazhduar me procedurat e mëtejme”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Më tej në njoftim thuhet se zyrtari policor duhet të veprojë në pajtim me legjislacionin në fuqi, kodin e etikës dhe rregullat e sjelljes dhe kryerjes së detyrave policore.

Lexo po ashtu Deputetet e PDK-së të indinjuara me paragjykimet për Drenicën

“Për Policinë e Kosovës është i papranueshëm çfarëdo veprimi i cilit do zyrtarë policor i cili bie ndesh me parimet udhëzuese dhe udhëheqëse të Policisë, integritetin personal dhe institucional, vlerat etike, vlerat e organizatës, ndershmërinë dhe përgjegjësinë për shërbim ndaj publikut”, vijon njoftimi.

Tutje në njoftim thuhet se  Policia e Kosovës ndër vite ka ndërtuar imazh dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm me të gjithë qytetarët.

“Realizimi i detyrave dhe përgjegjësive policore karshi vendit dhe qytetarëve, përfshirë bashkëpunimin dhe partneritetin me komunitetin, mbetet qëllim primar i Policisë së Kosovës dhe në ç’do rast ku mund të paraqiten shkelje të procedurave dhe rregullave policore do të merren masat e nevojshme”.

Ndryshe, zyrtari policor përmes një komenti të bërë në grupin Barcoleta kishte krahasuar rajonin e Drenicës me kopshtin zoologjik. /Telegrafi/