Odise Roshi drejt Rusisë. Mesfushori kuqezi do të vazhdojë karrierën në radhët e Terek Groznit.
Menaxheri i njohur shqiptar, Shkumbin Qormemeti realizon një tjetër goditje të madhe në këtë verë. R
oshi po zhvillon kontrollet mjekësore në klubin e ri, një procedurë që zgjat më tepër se zakonisht te skuadrat ruse.
25-vjeçari largohet në këtë mënyrë nga Rijeka, për t’u bashkuar edhe një herë me sulmuesin Bekim Balaj, i cili i’u bashkua Terek Groznit, ndërsa ishte i angazhuar me Kombëtaren në Kampionatin Evropian.
Menjëherë sapo kontrollet mjekësore të përfundojnë, do të realizohet edhe firmosja e kontratës, që pritet të bëhet zyrtare deri në mbrëmje.
Terek Grozni do të jetë skuadra e gjashtë në karrierë për Odise Roshin. Pas aktivizimit me Apoloninë dhe Flamurtarin në kampionatin shqiptar, mesfushori kaloi katër sezone në futbollin gjerman, të ndara mes Kolnit dhe FSV Frankfurt.
Gjatë verës së vitit 2015 ai u transferua si lojtar i lirë te kroatët e Rijeka-s, ndërsa tashmë do të vazhdojë karrierën në Rusi.
Përveç Roshit dhe Balajt, që sezonin e ardhshëm do të mbrojnë ngjyrat e çeçenëve të Terek Groznit, në elitën e futbollit rus luan edhe Bernard Berisha te Anzhi Makhachkala.
Të gjitha lajmet për futbollistët shqiptarë mund t’i gjeni këtu