Telegrafi

OBSH: Në Gaza, më shumë njerëz mund të vdesin nga sëmundjet sesa nga bombardimet

Më shumë njerëz mund të vdesin nga sëmundjet sesa nga bombardimet në Rripin e Gazës, nëse sistemi shëndetësor nuk shërohet, tha sot një zëdhënëse e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Zyrtarët shëndetësorë në Gaza, të besuar nga OKB-ja, thonë se më shumë se 15 mijë njerëz janë vrarë në sulmet izraelite, rreth 40 për qind e tyre fëmijë, dhe shumë të tjerë dyshohet se kanë vdekur nën rrënoja, transmeton Telegrafi.

Izraeli është i vendosur të shkatërrojë Hamasin, grupin militant që sundon Gazën, pasi personat e këtij grupi hynë në Izrael më 7 tetor dhe vranë rreth 1,200 njerëz dhe rrëmbyen 240 prej tjerë.

Lexo po ashtu Rrëfimi i izraelites së liruar nga Gaza: Në fillim na jepnin mish pule me oriz dhe ushqim të konservuar – më vonë mbetëm pa ushqim

“Ne po dështojmë (së bashku) të rregullojmë vrimat në këtë sistem shëndetësor”, tha Margaret Harris e OBSH-së në një konferencë shtypi në OKB në Gjenevë.

Ajo përsëriti shqetësimin e saj për shtimin e shpërthimeve të sëmundjeve infektive, veçanërisht të diarresë. Duke cituar një raport të OKB-së për kushtet e jetesës së banorëve të zhvendosur në pjesën veriore të Rripit të Gazës, ajo tha: “Nuk ka ilaçe, vaksina, nuk ka qasje në ujë të pastër ose higjienë dhe nuk ka ushqim. Ka një numër shumë të madh foshnjash me diarre.

Harris e quajti shkatërrimin e spitalit Al Shifa në veri të Gazës  një “tragjedi” dhe shprehu shqetësimin për disa nga pjesëtarët e stafit mjekësor të ndaluar nga forcat izraelite në karvanin e evakuimit të OBSH-së.

James Elder, zëdhënës i Agjencisë së OKB-së për Fëmijët në Gaza, u tha gazetarëve përmes videos se spitalet e Gazës janë plot me fëmijë me plagë lufte dhe ulçera stomaku nga pirja e ujit të kontaminuar. /Telegrafi/