Zgjedhjet presidenciale në Francë janë duke u afruar dhe kandidatët janë tre. I pari është Francois Fillon, ish-Kryeministër në kohën Presidentit Sarkozy, tjetri është një emër i pavarur, Emanuel Macron, ndërsa e fundit është euroskeptikja, Marine Le Pen.
Pra janë tre alternativat që u ofrohen francezëve për të votuar deri më tani, por duket se asnjëra prej tyre nuk ua mbush mendjen.
Dhe për të gjetur kandidatin ideal dhe të preferuar prej tyre, francezët po shohin përtej kufijve të tyre, të paktën një grup aktivistësh, që kanë hapur një faqe në internet dhe nën sloganin “Oui on peut”, siç thuhet në frëngjisht slogani i famshëm i Barack Obamas, “Yes we can”, transmeton tch.
Aktivistët kërkojnë të grumbullojnë 1 milionë firma në kërkesën që i adresohet ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara që të bëhet edhe njëherë tjetër President, por këtë radhë jo i Shtëpisë së Bardhë, por i Elizesë.
Organizatorët e peticionit janë me këmbë në tokë dhe të vetëdijshëm për mundësitë që kjo të ndodhë vërtetë (shtuar këtu edhe argumentet e vendlindjes, që këtë herë do të ishin të bazuara), por thonë se misioni i tyre është ndërgjegjësimi i njerëzve dhe për të shkundur klasën politike vendase.