Nga Polonia, ku ndodhet për samitin e NATO-s, Barak Obama sqaroi se pret që Britania të vazhdojë të mbetet një kontribuuese e rëndësishme e sigurisë evropiane, e në të njëjtën kohë shprehu bindjen se ajo do ta pranojë një shkëputje të rregullt nga BE-ja.
“Nuk kam asnjë dyshim se Londra do të jetë në vijimësi një prej anëtareve më të afta të aleancës”, u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë, duke u përqendruar pas kësaj te marrëdhëniet me bllokun.
“Kam besim të plotë se Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian do të bashkëpunojnë në mënyrë pragmatike e ndërvepruese për t’u siguruar që dalja nga blloku evropian të jetë e organizuar dhe pa probleme. Askush nuk ka interes në negociata të zvarritura e kundërthënëse. Të gjithë duan të minimizojnë shqetësimet, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja farkëtojnë mes tyre një marrëdhënie të re”, tha Obama.
Komente për këtë çështje pati dhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
“Jemi të ndërgjegjshëm se pasojat gjeopolitike të ‘Brexit’-it mund të jenë shumë serioze. Ruajtja e marrëdhënieve më të ngushta të mundshme mes BE-së dhe Londrës është në interesin e evropianëve dhe në atë të amerikanëve. Por është po kaq e rëndësishme t’i dërgohet sot një mesazh botës se ‘Brexit’, sado i trishtë të jetë, përbën thjesht një incident dhe jo fillimin e një procesi”, tha Donald Tusk.
Në një artikull të publikuar në gazetën “Financial Times”, Obama i bënte thirrje udhëheqësve të NATO-s të qëndrojnë të palëkundur përballë Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë, duke kujtuar se vota britanike për largim nga BE-ja nuk duhet ta dobësojë aleancën.