Nga: Armand Plaka
Është folur sigurisht shumë, nga shumë burime e nga shumë gjuhë të botës, për jetën e Mustafa Kemal Ataturkut e për veprën e tij. Nga shqiptarët madje edhe më shpesh, duke u nisur nga pretendimi apo interesi për origjinën e tij shqiptare.
Por, nuk na rezulton në asnjë dokument, rrëfim apo dëshmi; një dëshirë e tij për t’u martuar me Princeshën Ruhije – njërën ndër gjashtë motrat e ish-monarkut shqiptar, pikërisht në vitet e fundit të jetës së tij.
Megjithëse vetëm në rendin e një thashthemi të paverifikuar, gazeta amerikane “The Daily Illini” (gazetë studentore – v.j.) e 3 tetorit 1934, në një fotolajm të vogël nga volumi, na bën me dije se:
“Nga Vjena na vjen fjala se Mustafa Kemal Pasha (gjendet në foto) 57-vjeçari diktator i Turqisë, ka gjasa të zgjedhë një nuse nga katër motrat e afta për martesë të Mbretit Zog të Shqipërisë. Më e bukura nga këto vajza, është 24-vjeçarja Ruhije (që gjendet në foton sipër), e cila është e dyta më e reja ndër to. Motrat e Ruhijes janë Senije 26 vjeç, Myzejen 25 dhe Mahide 23 vjeç. Diktatori u divorcua në vitin 1925 me një dekret të lëshuar prej atij vetë”. (I.I.N. Photo).
Ndërsa në titull, duke i paparprirë fotos të madhe të Ruhijes dhe asaj më të vogël e të brendashkruar të Ataturkut, shtrohet një pyetje në formë retorike: Nusja e Kemal Pashës së Turqisë?
Ataturku njihej me këtë titull vetëm pas një dekreti të Parlamentit të Turqisë në nderim të veprës së tij, të nxjerrë pikërisht në vitin 1934 (por që hyri në fuqi në vitin pasardhës), katër vite para vdekjes së tij që ndodhi më 10 nëntor 1938. Është kjo arsyeja se pse gazeta i referohej akoma me emrin “Kemal Pasha i Turqisë”, emër me të cilin njihej edhe në Perëndim deri në marrjen e titullit të lartë nga Asambleja Kombëtare në Ankara.
Siç dihet, ai përveç shpirtit reformator, njihet edhe për sjellje strikte e autokratike, çka e bënte atë që në sytë e demokracive perëndimore të shihej edhe si diktator, edhe pse nderohej gjerësisht si sekularist dhe njeri përparimtar.
Në lidhje me jetën private, atij i njihen botërisht lidhjet me katër gra, por të kurorëzuara vetëm me një martesë, ajo me Latife Ushaklıgil, e cila përfundoi në vitin 1925, 13 vjet para vdekjes më një divorc që bëri shumë bujë edhe në mediat ndërkombëtare, të cilën e përmend shkurtimisht edhe gazeta në fjalë.
Kështu, referencat zyrtare që ofrohen prej rreth 80 vjetësh në biografitë e panumërta për Ataturkun të sugjerojnë emrat e Eleni Karintes, Fikrije Hanimit, Dimitrina Kovaçevës dhe të Latife Ushaklıgil.
Eleni, e cila ra në dashuri me Ataturkun kur ai ishte me studime në qytetin e Manastirit në Maqedoninë e sotme Veriore, është personi për të cilën biografia zyrtare turke nuk ofron shumë informacione, por që nga ana tjetër ka arritur të frymëzojë vite më vonë shkrimtarin maqedonas Dejan Dukovski të shkruante një skenar që u ekranizua nga regjisori Aleksandar Popovski.
E dyta ishte zonja Fikrije Hanëm, e cila në fakt ishte një kushërirë, por jo në vijë gjaku e Ataturkut, e cila ish ndarë nga ish-i shoqi i saj egjiptian dhe ishte kthyer në Stamboll. Gjatë luftës për Pavarësi ajo jetoi me të në Çankaja, në Ankara, si sekretare e tij personale. Sidoqoftë, pasi Ushtria turke hyri në Izmir në vitin 1922, Ataturku u takua me Latifen në shtëpinë e të atit të saj, një manjati anijesh.
E, kështu që Latife ra në dashuri me Ataturkun, ndërsa ky i fundit thuhet se ishte i mahnitur nga inteligjenca e saj: në fakt ajo ishte një e diplomuar në Sorbonë të Francës dhe ndërkaq po studionte edhe Anglisht në Londër kur shpërtheu lufta. Më 29 janar 1923, ata u martuan.
Latife ishte xheloze për Fikrijen dhe kërkoi që ajo ta linte shtëpinë në Çankaja. Fikrija pas kësaj kreu vetëvrasje, por hije dyshimi jo vetëm për vrasjen e saj, por edhe për divorcin me Latifën, e cila cilësohej si gruaja më përparimtare e Turqisë, kanë mundur të qarkullojnë deri vitet e fundit në Turqi e më gjerë. Vitin e shkuar, studiuesi dhe biografi turk Ipek Çalıslar, botoi një biografi rreth kësaj gruaje enigmatike, e cila ndërroi jetë në vitin 1975, nën titullin: “Madam Ataturk: The First Lady of Modern Turkey” ( Madam Ataturk: Zonja e Parë e Turqisë moderne”).
Sidoqoftë, të gjitha këto sa cituam më lart, nuk janë objekt kryesor i kësaj prurje. Pasi kjo lidhet me shumë gjasa edhe me marrëdhëniet mes Ataturkut dhe monarkut shqiptar Ahmet Zogu I, të cilët thuhej se ndërkohë i kishin nisur kontradiktat qysh në kohën kur Zogu vendosi ta shpallte Shqipërinë monarki, ndërsa Ataturku ishte dhe njihej si një republikan i flaktë.
Nga ana tjetër, motrat e Zogut njiheshin gjerësisht në publikun vendas dhe madje atë mondan evropian, ndërsa i hasje shpesh edhe në faqet e revistave vjeneze të kohës që i bënin jehonë eventeve dhe personazheve të oborreve mbretërore e atyre të larta shtetërore në Evropë. Kështu në vitin 1934, ato lakoheshin se kishin kryer një udhëtim në Zvicër, ndërsa në vitin 1937 tashmë është fakt i njohur se kryen një udhëtim të gjatë në Evropë dhe ShBA, ku një stacion i rëndësishëm ishte dhe vizita në Muzeun e Vjenës ku panë nga afër edhe përkrenaren origjinale të Skënderbeut.
Një arsye e mundshme se pse Ataturku mund ta ketë pasur në listë emrin e princeshës Ruhije, mund të ketë qenë fakti se ajo sikurse Latifa, gjithashtu shihej si një vajze shumë e emancipuar dhe kronikat e kohës e shfaqin atë përkrah mbretit, apo përkrah motrave të veta në misione emancipuese e evropianizuese përballë një populli shumë të prapambetur. Arsyeja tjetër mund të ketë qenë sigurisht feja e besimi i Ruhijes, i vëllait të saj dhe në përgjithësi i popullit shqiptar, i cili në atë kohë nuk kishte shumë vite që ishte shkëputur nga ish-Perandoria Osmane, edhe pse po bënte përpjekje çdo ditë në fakt të shkëputej edhe nga tradita që ajo la pas.
Sidoqoftë, gjithçka mbetet vetëm një pretendim, pasi vetë gazeta amerikane qysh në titull ka vendosur një pikëpyetje, duke mos e mbuluar me asnjë informacion tjetër.
Përshtypje të bën gjithsesi fakti se gazeta amerikane e vlerëson atë thjesht si më të bukurën ndër motrat e pamartuara të Zogut dhe i rezervon një foto relativisht të madhe nëse llogarisim këtu vendin dhe interesin që mund të kishte për publikun amerikan një princeshë e panjohur nga një vend i vogël e pa peshë siç ishte Shqipëria.