Khabib Nurmagomedov më në fund do ta ketë mundësinë që të luftojë për titullin e kampionit të peshave të lehta në UFC, pasi Al Iaquinta ka vendosur të ndeshet me të.
Fillimisht, ai u desh të përballej me kampionin e përkohshëm të peshave të lehta, Tony Ferguson, mirëpo ai u lëndua dhe nuk mund të duelonte me 29-vjeçarin.
Pastaj, u caktua që Khabib ta zhvillonte meçin ndaj kampionit të peshave shumë të lehta, Max Holloway, por ai nuk ia doli pasi mjekët e shpallën të pariaftësuar për t’u ndeshur, si dhe nuk e kishte arritur peshën e obliguar.
Pas disa opsioneve tjera, në çastet e fundit u vendos që Al Iaquinta të ishte kundërshtari i Nurmagomedovit dhe në këtë mënyrë, luftëtari nga Dagestani do ta ketë mundësinë ta kërkojë titullin e UFC-së në kategorinë e peshave të lehta (i cili deri para një jave i ka takuar Conor McGregorit).
“Në radhë të parë, dua të them falënderimi i takon vetëm Zotit… Këtë javë më kanë kërkuar të ndeshem me pesë kundërshtarë të ndryshëm”.
“U thashë se jam lodhur më me këtë gjë. U thashë se nëse mund ta sjellin King Kongun dhe mund të peshojë 155 paund (70 kilogramë e 307 gramë, pesha e duhur për kategorinë e lehtë), atëherë sillmani!”.
“Kam ardhur këtu që ta bëj historinë dhe do të jetë një ndeshje shumë e madhe për mua, jo për shkak të Al Iaquintas. Ëndrra ime e fëmijërisë po bëhet realitet, sepse do të luftoj për rripin e vërtetë”, ka deklaruar Nurmagomedov.
Meçi ndërmjet Nurmagomedov dhe Iaquinta zhvillohet sonte (7 prill) në Barclays Center në Brooklyn të New Yorkut nga 22:00 me orën lokale (rreth orës 4:00 të mëngjesit të të dielës me orën tonë). /Telegrafi/