Ish-sulmuesi i Aston Villas, Gabby Agbonlahor ka kritikuar nënshkrimin e ri të Liverpoolit, Darwin Nunez, duke e quajtur atë transferimin më të keq në këtë sezon të Ligës Premier.
Eksperti i TalkSPORT bëri edhe krahasime mes uruguaianit dhe ish-sulmuesit të Chelseat, Romelu Lukakut.
Nunez mbërriti në Anfield këtë verë nga Benfica për 100 milionë euro, pasi Reds zëvendësuan Sadio Manen, i cili u largua për te Bayern Munich.
23-vjeçari ka luftuar për të bërë një ndikim në Merseyside deri më tani, megjithëse vjen me statistika mbresëlënëse pasi ka shënuar 34 gola në 41 paraqitje për gjigantët portugez sezonin e kaluar.
Pavarësisht se ka luajtur vetëm në tre ndeshje në Ligën Premier deri më tani këtë sezon për shkak të një pezullimi, eksperti i TalkSPORT, Agbonlahor drejtoi disa fjalë të ashpra ndaj Nunez.
Ish-lojtari i Villa deklaroi: “Kur shikoj edhe Nunezin, ndihem sikur edhe prekja e tij e parë nuk është aq e mrekullueshme”.
“Ne shpejt e quanim Lukakun ‘Çizme Timberland’ kur ishte në trend në Twitter kur ai kishte prekje të këqija në ndeshje. Nunez duket sikur ka veshur dy palë ‘Timberlands’”.
Kjo përgjigje erdhi pasi Agbonlahorit iu kërkua të emëronte nënshkrimin më të keq deri më tani në Ligën Premier. /Telegrafi/