Site icon Telegrafi

“Numri i varreve po rritet”: Kreu i mercenarëve rusë të ‘Wagner’ pranon se forcat e tij vazhdojnë të pësojnë humbje në Ukrainë

Kreu i grupit mercenar rus Wagner tha se forcat e tij vazhdojnë të pësojnë humbje, pasi një video e publikuar të enjten e tregonte atë duke vizituar një varrezë ku janë varrosur luftëtarët e grupit.

Forcat Wagner kanë qenë në krye të ofensivave në Ukrainën lindore, duke përfshirë qytetin Bakhmut, i cili është bërë beteja më e gjatë dhe më e përgjakshme e fushatës ushtarake të Rusisë.

Të dyja palët kanë pësuar humbje të mëdha rreth Bakhmutit.

Një video e shpërndarë nga shërbimi i tij për shtyp tregonte shefin e Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, duke qëndruar përpara dhjetëra varreve me kryqe druri dhe kurora me lule, përcjell Telegrafi.

“Ata vazhdojnë të varrosin luftëtarët e Wagner këtu,…”, citohet të ketë thënë Prigozhin në video duke iu referuar kompanisë private ushtarake që ai themeloi.

Ai pranoi se numri i varreve po rritet. “Ata që luftojnë ndonjëherë vdesin. Kështu funksionon jeta”.

Ndryshe, autoritetet ruse nuk kanë dhënë vlerësime të përditësuara të humbjeve që nga shtatori 2022, kur Ministria e Mbrojtjes numëroi 5,937 të vdekur.

Ky numër nuk përfshin luftëtarët Wagner, të cilët nuk janë pjesë e ushtrisë konvencionale.

Ndryshe, vlerësimet perëndimore sugjerojnë rreth 150,000 të vdekur dhe të plagosur nga secila anë.

E themeluar në vitin 2014, Wagner është përfshirë në konflikte në Afrikë, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme.

Prigozhin kishte rekrutuar për muaj – deri në shkurt – të burgosur, duke premtuar amnisti pas kthimit të tyre në Rusi, nëse do t’i mbijetonin luftimeve në Ukrainë. /Telegrafi/

Exit mobile version