Telegrafi

Numri i pushtuesve rusë të vdekur shkon në 279,440 – Ukraina publikon edhe humbjet e pajisjeve ushtarake të Rusisë

Forcat mbrojtëse të Ukrainës eliminuan rreth 279,440 pushtues rusë midis 24 shkurtit 2022 dhe 3 tetorit 2023, duke përfshirë 360 në 24 orët e fundit.

Këtë e ka bërë të ditur Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës përmes një postimi në Facebook, transmeton Ukrinform, përcjell Telegrafi.

Në këtë kontekst bëhet e ditur se forcat mbrojtëse të Ukrainës shkatërruan gjithashtu 4,732 (+15) tanke armike, 9,008 (+8) automjete të blinduara luftarake, 6,565 (+40) sisteme artilerie, 801 raketahedhës të shumëfishtë, si dhe 540 sisteme të mbrojtjes ajrore.

Veç këtyre, janë shkatërruar edhe 315 aeroplanë luftarakë, 316 helikopterë, 5,080 (+20) sisteme ajrore taktike pa pilot, 1,529 raketa, 20 anije luftarake, një nëndetëse, 8,932 (+23) kamionë dhe cisterna karburanti, dhe 943 (+5) pjesë të pajisjeve të specializuara.

Ndërkohë ishte bërë e ditur se forcat ajrore të Ukrainës kanë thënë se kanë shkatërruar 29 nga 31 dronë dhe një raketë të lëshuar nga Rusia, kryesisht drejt rajoneve të Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk.

Bëhet fjalë për dronë që u angazhuan në valët e sulmeve gjatë natës që zgjatën më shumë se tri orë, sipas forcave ajrore. /Telegrafi/