Site icon Telegrafi

Nuk u ambientua në Serie A, Lazio mendon ta shkëmbejë Valon Berishën

Valon Berisha (Foto: Marco Rosi/Getty Images/Guliver)

Ylli i Përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha nuk ka kaluar aspak mirë në vitin e tij të parë te skuadra italiane, Lazio.

Mesfushori kosovar kishte problem me ambientimin në futbollin italian, por edhe lëndimet e shumta nuk e lanë të qetë.

Kësisoj Lazio po projekton largimin e Berishës edhe pse paguan 7.6 milionë euro për transferimin e tij nga RB Salzburg.

Lexo po ashtu Valon Berisha pritet të largohet nga Lazio, rikthehet te Red Bull Salzburg?

Flitej për një huazim të Berishës tek kampioni austriak, por duket se Lazio tani po mendon ta përdor kosovarin si shkëmbim.

Berisha ka dështuar ta tregojë veten te Lazio (Foto: Marco Rosi/Getty Images/Guliver)

Sipas mediumit italian Calciomercato, kryeqytetasit janë duke biseduar me Salzburgun për mbrojtësin e djathtë, Stefan Lainer.

Salzburg ka kërkuar 8.5 milionë për anësorin e tyre, ndërsa Igli Tare i ka propozuar shkëmbimin me Berishën.

Stefan Lainer (Foto: Andreas Schaad/Bongarts/Getty Images/Guliver)

Kampioni dhe fituesi i Kupës së Austrisë janë duke menduar seriozisht për këtë shkëmbim pasi janë të bindur se Berisha do ta rikthej formën e vjetër me tu rikthyer në Austri.

26-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar vetëm 14 ndeshje me fanellën e Lazios ku kryesisht është inkuadruar nga banka rezervë. /Telegrafi/

Exit mobile version