Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë është duke u konsultuar me partnerët opozitarë, si dhe me sektorin civil për format e veprimit të mëtutjeshëm. Sipas “Deutsche Welle” vendimi për mënyrat e veprimit të mëtutjeshëm do të sillet deir në fund të kësaj jave, ose në fillim të javës tjetër.
LSDM bashkë me partnerët e koalicionit do të bëjnë analiza nëse me largimin e ministrave dhe zëvendësministrave të tyre është shkelur dhe është varrosur Marrëveshja e Përzhinos.
Nëse konstatohet se një gjë e tillë ka ndodhë, atëherë ka gjasa të radikalizohen hapat e tyre, por nuk përjashtohet mundësia për vazhdim të publikimit të bisedave për skandalet e pushtetarëve.
“Nuk do të gjuajmë me ‘bomba’, por mund të shkrepim ndonjë ‘raketë’ të re”, thonë në LSDM.
“Incizimet i kemi dorëzuar në Prokurorinë Speciale, mirëpo jemi duke bë analiza nëse ligji ndalon publikimin e transkripteve të incizimeve. Nëse nuk ka pengesa ligjore, ato biseda do t’i publikojmë në formë të transkripteve”, shtojnë në këtë parti, duke shtuar se nuk përjashtohet në të ardhmen edhe publikimi i bisedave më skandaloze dhe atyre më të ndjeshme.
Në ndërkohë mediumet kanë njoftuar se nga shtatori, deputetët e LSDM-së mund ti kthehen sërish bojkotit të Kuvendit nëse deri atëherë nuk përmbushen kushtet e kësaj partie për një proces elektoral demokratik dhe nëse nuk caktohet data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Social demokratët maqedonas megjithatë theksojnë se vendimi për t’i braktisë ulëset e parlamentit nuk është marr ende zyrtarisht por po shqyrtohet në organet partiake.
“LSDM është duke i shqyrtuar të gjitha opsionet, megjithatë, vendimi për cilin më pyesni ju, e sjellin organet partiake. Do të spekuloja nëse them se kemi marr një vendim të tillë. Pra për këtë duhet të diskutojnë organet e partisë, por është fakt se vetëm LSDM i ka përmbushur të gjitha kriteret që dalin nga marrëveshja e Përzhinës”, tha Goran Sugarevski, LSDM.
31 deputetët e LSDM-së ndërprenë bojkotin një vjeçar në shtator të vitit të kaluar, pas firmosjes së marrëveshjes së Përzhinës. Por, tani që lideri i LSDM-së Zoran Zaev, e ka shpallur të vdekur këtë dokument politik, është aktualizuar tema që opozita ti rikthehet bojkotit. Analistët, vlerësojnë se një vendim i tillë i opozitës do të kthente vendin shumë hapa prapa./Telegrafi/