Mocioni i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, nuk ka marrë votat e mjaftueshme nga deputetët e Kuvendit.
Nga 75 deputetë sa kanë votuar, 22 vota ishin pro, 53 kundër dhe asnjë abstenim.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj tha sot para Kuvendit të Kosovës se Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, nuk ka arritur t’i përmbushë objektivat dhe t’i mbrojë interesat e qytetarëve.
Sipas tij, ata në mënyrë të padrejtë kanë bërë shtrenjtimin e energjisë. Ai ka shtuar se bordi nuk është transparent.
Përkrahje mocionit për shkarkimin e këtij Bordi i dha edhe PDK-ja. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se si grup parlamentar e mbështesin mocionin e LDK-së për shkarkimin e bordit të ZRRE-së.
“Ky bord i cili nuk respekton vendimet e gjykatave të Kosovës, që kanë konstatuar shkelje të këtij bordi me rastin e tarifimit të energjisë me çmime të larta, ky bord më së paku do të duhej të dorëhiqej”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ndërkaq, shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se kërkesa për shkarkim të bordit, përveçse nuk e ka pasur arsyetimin e bindshëm, ka shpërputhje në raport me dispozitat ligjore që i parasheh ligji për rregullatorin e energjisë.
Ajo ka thënë se aty parashihen situatat në të cilat lehtësohen kushtet për shkarkim.
Kusari-Lila ka thënë se shkarkimi bëhet në situatat kur një anëtar është i dënuar me burg për vepër penale, nuk mund t’i kryej detyrat për muaj me radhë, shkel kushtet e përcaktuara. /Telegrafi/