Nuk ka vend në qytetin lindor të Bakhmut që “të mos jetë i mbuluar me gjak”, ka thënë presidenti ukrainas Volodymr Zelensky.
Ai shtoi se “vetëm disa civilë” kanë mbetur në qytet, i cili kishte qenë shtëpia e 70,000 njerëzve përpara luftës me Rusinë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Nuk ka vend që nuk është i mbuluar me gjak. Nuk ka orë kur zhurma e tmerrshme e artilerisë nuk dëgjohet”, citohet të ketë thënë më tej Zelensky.
“Megjithatë, Bakhmut qëndron në këmbë”.
Qyteti, i cili ndodhet në rajonin lindor të Donetskut, ka qenë vendi i betejave të pamëshirshme për muaj të tërë.
Trupat ruse po përpiqen të futen në zonë në përpjekjet e tyre për të marrë plotësisht kontrollin e Donbasit, duke u mbështetur kryesisht te mercenarët për ta bërë këtë.
Zelensky bëri një vizitë në Bakhmut në fillim të dhjetorit, duke e përshkruar vendbanimin si “kështjellën” e vijës së parë të Ukrainës.
Beteja këtu është bërë një nga më të ashprat e luftës deri më tani, me banorët e detyruar të strehohen nën tokë dhe në temperatura të ftohta.
Ekspertët ushtarakë thonë se Bakhmut ka pak vlerë strategjike për Rusinë, por të tjerë thonë se marrja e tij do të hapte rrugën për në Sloviansk dhe Kramatorsk – dy qendra të rëndësishme industriale. /Telegrafi/