Nënkryetari i bashkisë së qytetit të rrethuar ukrainas të Mariupol thotë se njerëzit kanë filluar të vdesin nga uria dhe dehidratimi, pasi furnizimet me ushqim dhe ujë janë të pakta dhe nuk lejohet të hyjë ndihma humanitare.
“Disa po vdesin nga dehidratimi dhe mungesa e ushqimit. Disa po vdesin nga mungesa e ilaçeve, insulinës… Sepse njerëzit nuk mund të gjejnë ndihmë mjekësore”, ka thënë Sergey Orlov për BBC, përcjell Telegrafi.
“Disa nëna nuk kanë qumësht dhe nuk kanë ushqim për fëmijët. Çfarë duhet të bëjnë me foshnjat e tyre? Unë nuk e di. Nuk ka fare ushqim për fëmijët në qytet”.
Mariupol ka qenë nën sulme të pamëshirshme ruse që në ditët e para të agresionit dhe fotografitë tregojnë një qytet të rrënuar, me lagje të tëra të shkatërruara.
Orlov thotë se 70% e spitaleve në qytet janë “shkatërruar nga bombardimet dhe granatimet”.
Komunikimi me qytetin është i vështirë, pasi rrjeti telefonik është me ndërprerje, kështu që është e vështirë të verifikosh në mënyrë të pavarur informacionin.
Banorët e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në strehimore apo bodrume pa energji elektrike, ujë të rrjedhshëm apo gaz.
“Njerëzit thjesht kërkojnë çdo mundësi për të mbijetuar. [Ata] ndajnë ushqim, ujë, ata po mbledhin dru për të gatuar në rrugë”, bën të ditur Orlov.
Më shumë se 100,000 njerëz mbeten të bllokuar në Mariupol ndërkohë që përpjekjet për të kryer evakuime në shkallë të gjerë kanë dështuar, edhe pse mijëra njerëz kanë arritur të largohen ditët e fundit me automjete private. /Telegrafi/