Gonzalo Higuain do të largohet nga Juventusi gjatë afatit kalimtar veror.
Sulmuesi argjentinas ka kontratë me Zonjën e Vjetër deri më 30 qershor të vitit 2021, por ai nuk bënë pjesë në planet e tyre.
Ka qenë trajneri i ri i Juventusit, Andrea Pirlo që i ka konfirmuar lojtarit se nuk llogarit në shërbimet e tij dhe duhet të largohet.
Juventus po has në vështirësi për ta larguar lojtarin, pasi ai ka refuzuar të gjitha ofertat që kanë ardhur në drejtim të tij, ndërsa po refuzon edhe largimin pa fituar asgjë.
Higuain i ka kërkuar klubit që t’ia paguajnë një pjesë të pagës së tij dhe të shkëputet kontrata me marrëveshje të dyanshme.
Tani pritet që drejtuesit e Juventusit të vendosin për të ardhmen e lojtarit, nëse do t’ia paguajnë paratë pasi ai nuk shihet si i nevojshëm më në Allianz Stadium.
Nga ana tjetër ka shumë klube që interesohen për lojtarin, por ai fillimisht duhet ta zgjidhë çështjen e tij me Juventusin.
Mediat angleze kanë raportuar se Higuain është kontaktuar nga katër skuadra angleze që duan rikthimin e tij në Ligën Premier.
West Ham United, Fulham, Aston Villa dhe Newcastle United janë ekipet angleze që duan angazhimin e Higuain.
32-vjeçari kërkon një pagë të lartë prej pesë milionë euro, para që nuk janë problem për ekipet angleze.
Higuain pret të zgjidhë kontratën me Juventusin dhe e ardhmja e tij pritet të jetë në Angli ose në MLS. /Telegrafi/