Telegrafi

Nominimet për ‘Judo Awards 2021’: Kuka për arritjet si trajner, Distria për xhudisten e vitit

(Foto: awards.ijf.org)

Trajneri i sukseseve të mëdha, Driton Kuka dhe xhudistja Distria Krasniqi, janë nominuar për t’u shpallur si më të mirët në botë në sportin e xhudos.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) do t’i ndajë çmimet e më të mirëve për vitin 2021 (‘Judo Awards 2021’) në muajin dhjetor dhe tashmë është hapur votimi për të përzgjedhur më të mirët.

Trajneri Kuka është në garë me dyshen e trajnerëve të Francës, Larbi Benboudaoud dhe Christophe Gaglian, Robert Eriksoonin, Yvonne Boenisch e Kosei Inoue.

Kurse Distria Krasniqi garon me Clarisse Agbegnenou, Abe Uta, Anna Maria Wagner e Jessica Klimkait.

Votimi do të mbyllet më 10 dhjetor kurse çmimet do të ndahen një javë më pas, më 18 dhjetor.

“Është koha për të kontribuar edhe ti për kampionët tanë. Regjistrohu dhe voto në linkun e mëposhtëm për çmimet e vitit nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos. Në garë janë: Driton Toni Kuka – Arritja më e madhe e trajnerit 2021; Distria Krasniqi – Xhudistja më e mirë femër e vitit 2021”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.