Site icon Telegrafi

Njohësi i çështjeve të sigurisë: Rritja e prezencës së policisë në veri është proporcionale me nevojat e zbatimit të vendimin për targa

Pas vendimit të ministrit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë, ka filluar reaksioni i serbëve lokalë në veriun e Kosovës.

Tash e gjashtë ditë, rrugët që çojnë për në pikat kufitare 1 e 31, përkatësisht Jarinë e Bërnjak janë bllokuar me barrikada nga serbët, që kundërshtojnë këtë vendim.

Ndërkaq, të premten pas mesnate është djegur Qendra për Regjistrim të Automjeteve në Zubin Potok, e në të njëjtën Qendër në Zveçan janë gjetur dy mjete shpërthyese.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli në një prononcim për Telegrafin ka thënë se vendimi për shtim të forcave të rendit në veri ka qenë proporcionale me implementimin e vendimit për reciprocitet.

Ai theksoi se është normale që MPB-ja të planifikojë në mënyrë të duhur zbatimin e një vendimi të tillë.

“Vendimi ka qenë i ndërlidhur me nevojën që këto pika kufitare të zbatohet vendimi, e dimë që të kaluarën ka pasur rezistencë që masat e Qeverisë së Kosovës të implementohen, andaj është normale që institucionet përkatëse të rendit, ose Ministria e Punëve të Brendshme të planifikojë në mënyrë të duhur, zbatimin e një vendimi”, tha Vrajolli.

Foto: Twitter/Mentor Vrajolli

Ai tha se “rritja e prezencës së Policisë së Kosovës në këtë pjesë kanë qenë proporcionale me nevojat e implementimin e vendimin”.

Vrajolli vlerëson se vendimi i marrë është reaksion i padrejtësisë që i ka bërë Serbia qytetarëve të Kosovës, tash e disa vite, me ndërrim të targave.

“Ne duhet ta shohim këtë vendim si reaksion ndaj një padrejtësie e cila ka vazhduar për një dekadë ndaj qytetarëve të Kosovës ku ju kanë nënshtruar qytetarët e Kosovës të njëjtit vendim ku tash do t’i nënshtrohen edhe qytetarët me dokumente të Serbisë”, tha Vrajolli.

Ai mendon se “ky vendim duhet të shihet në frymë pozitive, me anë të këtij vendimi do të riaktualizohet prania e problemit që iu kanë nënshtruar qytetarët e Kosovës”.

“Komuniteti ndërkombëtar shpresoj se do ta ngris presionin tek të dyja palët, por sidomos tek pala serbe që sa më parë të gjendjet zgjidhje që do t’ua lehtësoj qytetarëve të dy palëve lirinë e lëvizjes në mënyrë më të lehtë pa pas nevojë për targa shtesë e procedura shtesë, ku pritjet e dimë ata të qytetarëve të Kosovës në kufi, ku minimum një personi ju kanë dashur 20 minuta për ta kaluar kufirin, në ndërkohë qytetarët nga ana e kundërt e kanë kaluar lehtë kufirin”, tha Vrajolli. /Telegrafi/

 

Exit mobile version