Site icon Telegrafi

Njohës të çështjeve të ekonomisë thonë se masat e BE-së janë të dëmshme

Nga masat e vendosura të BE-së tashmë janë pezulluar disa programe. E këto masa, nga njohës të ekonomisë por edhe përfaqësues të bizneseve po vlerësohen si të dëmshme për ekonominë e vendit.

Situata e tensionuar në veri të Republikës ka bërë që Bashkim Evropian të vendosë masa pezulluese ndaj Kosovës. Disa prej tyre janë vendosur e disa të tjera pritet të vendosen.

Madje për këtë në një përgjigje elektronike për RTK-në, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se përveç pezullimit të disa projekteve të rëndësishme ekonomike  për Kosovën, kanë pezulluar edhe vizitat e larta shtetërore.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e  e këtij organi më 29-30 qershor”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Situata problematike në veri, penalizon bizneset lokale
Lexo po ashtu Situata problematike në veri, penalizon bizneset lokale

E këto masa  të cilat janë ndërmarrë e që vazhdojnë të ndërmerren nga Bashkimi Evropian po vlerësohen të dëmshme për ekonominë e vendit.

Ata që merrem me ekonomi kujtojnë që nga  viti 2007 e deri tani BE ka dhënë 1,7 miliardë euro për projekte të ndryshme për Kosovën.

Muhamet Sadiku profesor i ekonomisë thotë se ajo që do të ndihet shumë shpejt është bllokimi i mjeteve nga fondi i paranatarësimit.

“Duke ditur që këto mjete kanë qenë 65-70 milionë euro në vit dhe të cilat kanë qenë në zhvillimin e demokracisë, arsimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe ajo që ka rëndësi zhvillimin e sektorit privat”, tha Sadiku.

Ndërkaq, Agim Shahini kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve thotë se do të suspendohen shumë takime bilaterale e shumë fonde.

“Do të ketë suspendim të takimeve e të fondeve siç janë IPA, MSA-ja. Po ashtu nuk do të ketë takime të cilat do të mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike …”, tha Shahini

Largimi i këtyre masave, sipas njohësve të ekonomisë, kërkon konsensusin e 27 vendeve anëtare të BE-së sikurse miratimi i tyre.

Exit mobile version