Site icon Telegrafi

Njeriu që “tregoi autorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit” thotë se për këtë gjë janë paguar 50 mijë euro

Boban Bogdanoviq, i cili ka vite që merret me sport dhe është mik i kriminelit të vrarë Aleksandar Gligorijeviq, është bërë temë kryesore në mediat serbe dhe jo vetëm, pas disa deklaratave të fundit të tij.

Bëhet fjalë për njeriun i cili ka thënë disa detaje, të cilat sipas tij, flasin për “të vërtetën” e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Vrasja e Ivanoviqit, Bogdanoviq thotë se atë e vrau Ljubomir Lainoviq ndërsa urdhrin e dha Veselinoviqi

Siç kishte thënë ai, Ivanoviq u vra nga Ljubomir Lainoviq nga Novi Sadi dhe se vrasja ishte urdhëruar nga biznesmeni kontrovers Zvonko Veselinoviq.

Veç kësaj, Gligorijeviq, siç tha ai, i ka treguar se detyra e tij ishte që t’i jepte Lainoviqit 50.000 euro që i kishte marrë nga Veljko Belivuk për punën që ka bërë.

Sipas pretendimeve të tij, paratë për vrasjen ia ka dhënë Zvonko Veselinoviq, përmes dikuj tjetër, Aleksandar Gligorijeviqit, i cili ia ka dorëzuar paratë Ljubomir Lainoviqit.

Gligorijeviq, bëri të ditur ai, i tha gjithashtu se Lainoviq kreu një tjetër vrasje në Athinë, pas së cilës ai shkoi në Spanjë dhe humbi gjurmët e punës së tij.

Ndryshe, politikani serb Oliver Ivanoviq, më 16 janar 2018, është vrarë me gjashtë të shtëna në shpinë, para objektit të partisë së tij “Liria, Demokracia, Drejtësia” në veri të Mitrovicës.

Nga përfundimi i luftës në Kosovë, ai ka qenë ndër politikanët më të rëndësishëm, ndërkohë që për disa vite rresht është përballur me një proces gjyqësor nën akuzat për “rolin e tij” në vrasjen e shqiptarëve nga lufta e fundit në Kosovë, e viteve 1998-1999. /Telegrafi/

Exit mobile version